Aktualitet

Kryeministri Rama lëshon paralajmërimin e fortë për kryebashkiakët, nëse nuk heqin plehrat!

Asnjë vend-depozitim i paligjshëm nuk do të tolerohet dhe nëse shihen parregullsi do të sanksionohen bashkitë e buxheti i tyre. Kjo u paralajmërua sot nga kryeministri Rama, në një takim me kryebashkiakë dhe prefektë. Rama shtoi se do të shkohet deri aty, sa qeveria të marrë në administrim bashkinë dhe se kjo parashikohet në ligj.

Eshtë e paimagjinueshme e për ta thënë fjalën e fundit, kjo bisedë s’do bëhej para disa vitesh sepse do na mungonin pikat fundore, sot i keni këto pika dhe duhet të merrni masa, që të gjitha mbetjet të shkojnë në pikat fundore. Asnjëlloj vend depozitimesh i paligjshëm nuk do të tolerohet, do të sanksionohen bashkitë dhe buxheti i tyre! Do të shkohet deri në marrjen në administrim të bashkisë, e merr Qeveria në administrim bashkinë. Nëse shkojmë në atë pikë, kryetari i bashkisë, bashkë me gjithë të tjerët do të përgjigjen për gjithë këtë gjënë! Shpresoj që s’do të jetë nevoja të shkojmë në atë pikë!

Rama përgëzoi Bashkinë e Maliqit për menaxhimin e situatës:

Shkoni në Maliq! Shkoni shikoni! Nuk është më e pasur se bashkitë e tjera dhe kur të gjeni plehra si ato që gjenden me shumicë në Himarë, si ato që janë në Dhërmi, edhe tani që flasim, më informoni edhe mua! Do të jemi shumë të surprizuar, çfarë ka Bashkia e Maliqit? Ka një njeri atje që nuk pajtohet dot me plehra!

Shefi i Qeverisë iu bën thirrje kryetarëve të bashkisë t’ju rrisin tarifat bizneseve që stërmbushin kazanët, që janë thjesht për konsum familjar.

Tarifat, rritjani atyre që ndotin më shumë, jo pensionistëve dhe jo familjeve, t’jua rrisni bizneseve që ndotin më shumë! Nuk ju kushton gjë t’ju thoni që zotrote gjithë këto plehra, se kazanët nuk i stërmbushin qytetarët, por bizneset. Ata duhet të hyjnë në një tjetër metodologji, t’i lënë mbeturinat nëpër thasë në një orë të caktuar, në një pikë afër lokalit, jo nëpër kazanë! Kazanët janë për konsumin familjar, si në gjithë botën.

Rama kërkoi që kryebashkiakët të zgjohen të parët e të flejnë të fundit, derisa pika e fundit të jetë pastruar.

Na rroftë rritja e numrit të turistëve, nëse i shoqërojmë me rritjen e pirgjeve. Mjaftojmë ne, mjafton kjo sallë që kjo situatë të përmbyset pa diskutim në një kohë të shkurtër dhe sezoni i ardhshëm të jetë gjë tjetër!