Aktualitet

Kryeministri Rama në Berlin, kërkesë kancelarit Scholz për mbështetje në çeljen e negociatave!

Berlinin po e viziton kryeministri Rama, i cili ndër të tjera, pritet të kërkojë nga kancelari gjerman Scholz përkrahje për çeljen e negociatave. Në Gjermani, shumë politikanë janë të mendimit se procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet. Një sërë vëzhguesish shohin një rrezik të madh që Ballkani t’i kthejë sytë diku tjetër, ndaj edhe një nga temat e bisedës do të jetë ndikimi i Rusisë në rajon.

Një tjetër shkak që e bën shumë të nevojshme çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësohet efekti pozitiv mbi dialogun Serbi-Kosovë.

“Rajoni dhe Europa do të bëhen më të qëndrueshëm e më të fortë, nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut anëtarësohen në Bashkimin Europian”. Kështu shprehet Anton Hofreiter, kryetar i Komitetit të BE-së në Bundestag, në një intervistë për Deutsche Welle-n.

Eshtë e rëndësishme që perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet shumë, shumë e qartë”. “Kjo është arsyeja pse unë dua që më në fund ky proces të fillojë e të çelen negociatat. Kam shumë shpresë se kjo do të jetë e mundur pas zgjedhjeve në Francë.

Zyrtarisht është Bullgaria që aktualisht e pengon procesin, për shkak të mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut. Tirana e ka bërë të qartë se nëse Sofja vazhdon qëndrimin bllokues, Shqipëria do të kërkojë të shkëputet prej saj, në procesin e integrimit. Këtë e deklaroi kryeministri Rama.

DW shkruan se “Shqipëria shpreson të marrë një datë për çeljen e negociatave, edhe nëse Maqedonia e Veriut bllokohet nga Bullgaria”.

Edi Rama gëzon mirëbesim në Berlin, edhe sepse politika e jashtme e Shqipërisë është në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së. Një arsye tjetër, është edhe se raporti i forcave në Parlamentin gjerman ka ndryshuar, në favor të përkrahësve të politikave të zgjerimit. Skeptikët e grupit parlamentar CDU/CSU të ish-kancelares Angela Merkel, të cilët i vinin kushte shtesë Shqipërisë për çeljen e negociatave e kanë humbur peshën politike. Edhe bashkëpunimi i suksesshëm i Shqipërisë qoftë në NATO, qoftë në kuadër të Këshillit të Sigurimit, e ka rritur peshën Shqipërisë si partner i besueshëm në kohë të vështira. Prandaj edhe Rama në Berlin sipas të gjitha gjasave do të pritet me shumë dashamirësi. Ai do të takojë tre pesha të rënda të politikës së kryeqytetit: kryebashkiaken e Berlinit, Franziska Giffey, presidentin e Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier dhe kancelarin Olaf Scholz, i cili do t’i shtrojë një darkë mysafirit nga Tirana.