Aktualitet

Kumbaro: 4.2 mld euro të ardhura nga turizmi në 2023…

Shqipëria përfitoi 4.2 miliardë euro të ardhura nga turizmi gjatë vitit 2023, deklaroi ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro në ditën e dytë të mbledhjes së Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit. Ministrja shtoi se lehtësitë fiskale krijojnë një mjedis atraktiv për të investuar në Shqipëri.

“Shqipëria sot po nis të korrë frytet e një pune të nisur vite më parë, me kuadrin ligjor që përgatitëm duke lehtësuar nga barrat fiskale investimet në turizëm, ku për të gjitha hotelet, nga ato më të voglat, nga bujtinat e agroturizmet e deri tek strukturat më elitare, duke ulur TVSH-në në 6% nga 20% që është për bizneset e tjera.

Turizmi nuk është thjesht çështje e numrit të vizitorëve, por është mbi të gjitha një çështje të ardhurash dhe tashmë ky sektor është bërë një industri, e këtë mund ta themi. Kjo matet edhe me të ardhurat që erdhën në ekonominë shqiptare.

Plot 4.2 miliard euro të ardhura nga ekonomia e turizmit në ekonominë shqiptare për vitin 2023 – 2,8 miliard ishte kjo shifër për vitin 2022. Është para që ushqen të gjithë zinxhirin e biznesit në vend”.

Drejtuesja e Organizatës Botërore të Turizmit, Natalia Bayona renditi arsyet pse Shqipëria është një vend tërheqës për investimet në turizëm.

“Arsyet kryesore se pse ky vend është tërheqës. Është klima liberale, ke mundësi 100% të drejtë pronësie, ndihmon ligji i posaçëm për turizmin, apo ligji për investimet strategjike. Sektorët ku investohet janë nga aeroportet, portet, marinat apo infrastrukturë. Kemi një politikë novatore kur flasim për investimet e gjelbra. Përmes ligjit të investimeve strategjike, janë mbështetur investimet në këtë sektor, prandaj keni pasur edhe 10 milionë turistë. Kemi një ligj të posaçëm për inovacionin, ka më shumë se 154 start up, dhe vendi ka edhe më shumë hapësirë, për të përfituar teknologji të reja për këtë sektor për ta bërë vendin inovativ.

Shqipëria po ofron diçka thelbësore, dhe nuk ka të bëjë vetëm me investim për hir të investimit. Objektet turistike janë rritur me 23% në vitin 2022, janë rritur me 8600 dhoma turistike, kemi zona të mbrojtura, keni gastronomi të shkëlqyer, jemi frymëzuar. Është vendi që po rritet me 53% në turizëm, më shumë se gjithë Europa.

Shqipëria është një destinacioni tërheqës për investimet në turizëm, shifrat flasin vetë, dhe performanca është shembull që japin besim. Jemi këtu për të bashkëpunuar për të gjetur oportunitetet e duhur. Le ti japim vlerë këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë”.

Në Shqipëri do të ngrihet qendra e edukimit të studentëve të mikpritjes me në fokus edukimin turistik, bëri me dije Zurab Pololikashvili, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit.

“Mund të kemi miliona turistë, por kush do t’i shërbejë atyre? Këtu kthehemi tek kapitali njerëzor. Çdo 10-20 dollarë e investuar në edukim, të kthehet shumë fish më pas. Kemi rënë dakord me kryeministrin dje që do krijojmë një qendër edukimi në Shqipëri që do ti shërbejë rajonit. Shkollat i kemi në Europë, por kjo nuk është e përballueshme për të gjithë. Ne kemi bërë që në partnetritet me emra të mëdhenj kemi përgatitur akademinë tonë. Kemi prani në shumë vende, dhe duam që të jemi edhe në Tiranë, që t’iu ofrojmë studentëve të mikpritjes të mësojmë. Duhet të mësojmë studentët në mikpritje, pasi edukimi është shumë i rëndësishëm në turizëm”, deklaroi Pololikashvili. –monitor.al–