Rajoni

Kundër Kosovës në Këshillin e Europës, Vuçiç kërkon krijimin e një ekipi serb!

Gjatë një takimi të jashtëzakonshëm në Serbi, presidenti Aleksander Vuçiç bëri thirrje për formimin e një ekipi për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Në mbledhjen në Beograd, ku mori pjesë edhe kryeparlamentarja, Ana Bërnabiç, Vuçiç iu kërkoi të pranishmëve të luftojnë më shumë në politikën e jashtme, përmes bashkëpunimit mes Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës.

Ne kemi detyra të vështira e të rëndësishme dhe nga të gjithë anëtarët e qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të qeverisë së re, unë kërkoj të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave.

Vuçiç theksoi se janë disa “gjëra të rëndësishme” për të cilat duhet të pajtohen, pa marrë parasysh se brenda një kohe të shkurtër do të formohet qeveria e re e Serbisë. Ai tha se shteti serb përballet me sfida të vështira, duke përmendur dialogun me Kosovën, si dhe mundësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Nga qeveria, kërkoi të formojë një ekip dhe të gjithëve t’iu dërgojë një dokument joformal, në të cilin do të paraqitet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës. Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Europës muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill dhe nëse jep dritën jeshile, fjalën përfundimtare e ka Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës, në maj.

Vuçiç: Shanset tona janë minimale

Vuçiç kërkoi ndryshim në qasje e si argument kryesor kundër pranimit të Kosovës, të përmendet se Prishtina nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo se “Kosova nuk është shtet”. Ai deklaroi se kryetarja e Parlamentit të Serbisë duhet të vazhdojë punën për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe diskutimet për kushtet e zgjedhjeve lokale në Beograd.

Ai vuri në dukje se zgjedhjet nuk do të mbahen para 17 majit, pa përfunduar çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Në takimin e jashtëzakonshëm ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të sigurisë, ushtrisë, policisë e drejtorë të ndërmarrjeve publike.