Rajoni

Kurti: Qeveria e re me deputetë të komuniteteve joserbe!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi sot se Qeverinë e re të Kosovës do ta formojë me deputetë të komuniteteve joserbe. Në këtë mënyrë, Albin Kurti përjashtoi një koalicion të mundshëm me partitë shqiptare dhe Listën Serbe. Kurti theksoi se do ta kalojë shifrën prej 61 deputetë të nevojshme për formimin e qeverisë së re në Prishtinë.

Ndërkohë sot përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Dialogun në mbyllje të vizitës 3 ditore në Kosovë deklaroi se informoi fituesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit Albin Kurti mbi progresin e bërë. Miroslav Lajçak tha se foli në detaje mbi progresin e bërë në takimet Prishtinë-Beograd që nga rifillimi i dialogut në Korrik 2020 dhe u diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm. Lajçak sot shkon në Serbi dhe më pas në Malin e Zi si pjesë e turit të tij në rajon.

Ish- i dërguari Special i Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë-Serbi  goditi sërish sot kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti. Grenell tha se Albin Kurti ka qenë kundër çdo presidenti amerikan dhe kundër çdo administrate dhe se ai sërish do të jetë anti-Amerikë dhe kundër presidentit aktual Joe Biden.

Albin Kurti ka qenë kundër Bill Clinton në Rambuje. Kurti ishte kundër George Bush në Vjenë. Kurti ishte kundër Barack Obamës dhe Joe Biden për demarkacionin. Kurti ishte kundër Donald Trump-it për Normalizimin Ekonomik. Ai do të jetë sërish kundër Joe Biden. Ai është me të vërtetë kundër Amerikës

Ditën e djeshme Grenell e ka quajtur Kurtin “majtist anti-amerikan”, që sipas tij ka qenë kundër Administratës dhe politikës amerikane ndër vite.