Aktualitet

Kushtetuesja zbardh vendimin e plotë për Teatrin Kombëtar!

Gjykata Kushtetuese ka bërë publike arsyet e vendimit që mori për çështjen e “Teatrit Kombëtar”. Në këtë vendim shfuqizoi ligjin special për projektimin dhe realizimin e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, por la në fuqi shembjen e godinës.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por Gjykata konstaton se prona ka qenë publike dhe shtetërore.

Lidhur me këtë të fundit, Gjykata Kushtetuese sqaron se: “Duke iu referuar objektit dhe përmbajtjes së VKM-së nr. 377/2020, Gjykata konstaton se ajo përcakton kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të godinave së Teatrit Kombëtar, si dhe  ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar, në konsultim me të gjitha grupet e interesit.

Në këtë mënyrë, ky akt, në vlerësimin e Gjykatës, krijon të drejta dhe detyrime jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, së cilës i drejtohet formalisht në tekstin e saj, por edhe për një kategori individësh, të cilët nuk janë të përcaktuar dhe nuk mund të përcaktohen nominalisht, pra për një kategori individësh, të cilët shihen në mënyrë abstrakte dhe në tërësinë e tyre. Gjykata arrin në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë se prona, objekt i kësaj VKM-je, ka qenë publike dhe është shtetërore, dhe se qëllimi i VKM-së është ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar në kuadër të realizimit të projektit të zhvillimit të asaj zone urbane, pra krijimi i një zone me interes publik”.

Ndër të tjera, Gjykata sqaron se qëllimi i VKM-së është ndërtimi i Teatrit Kombëtar, ndaj Bashkisë së Tiranës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve. Gjithashtu, Gjykata vëren se godina e re e Teatrit Kombëtar do të ndërtohet me fonde publike dhe mbi bazën e legjislacionit për prokurimin publik.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se edhe zbatimi i ligjit nr. 37/2018 (Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar) mund të sjellë pasoja të menjëhershme dhe të pariparueshme. Për rrjedhojë, bashkë me vendimin përfundimtar të datës 02.07.2021, vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe të VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të saj.