Aktualitet Politikë

Kuvendi/ Balla kërkon një minutë heshtje për ish-senatorin Bob Dole, Spiropali ftesë opozitës: të bëhemi bashkë dhe të ndryshojmë politikën e këtyre 31 viteve

Kreu i Grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka kërkuar një minutë heshtje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për të nderuar ish-senatorin amerikan Bob Dole. Balla deklaroi se ai pati një rol në pavarësinë e Kosovës dhe në përgjithësi për çështjet mbarëshqiptare.

Të gjithë e dimë që roli i Bob Dole në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe më pas shumica e vendeve progresiste kudo në botë ka vazhduar edhe nga pjesa tjetër e senatit. Do ishte në nderin e Kuvendit të Shqipërisë që në një moment të caktuar, është kryetarja ajo që vendos, në vlerësim të kësaj figure të rëndësishme jo vetëm për politikën amerikane por edhe për mbështetjen ndaj çështjeve shqiptare, tha Balla.

Spiropali ftesë opozitës: Të heqim dorë nga kjo politikë e këtyre 31 viteve

Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka thënë rolin që ka Shqipëria tanimë në Rajon e më gjerë dhe politikat që kanë ndërmarrë për të përfituar këtë pozicion, në sy të ndërkombëtarëve.

Ajo theksoi gjatë fjalës së saj, se Shqipëria është një vend partner i SHBA, e së shpejti do të çelen negociatat për anëtarësimin në BE. Po ashtu, Spiropali i bëri thirrje opozitës që të bëhen bashkë e ta ndryshojnë politikën aktuale, e të vendosin themelet e një politike ku dëgjohet mendimi ndryshe, respektohet individi dhe nuk cënohen liritë e të drejtat e tij.

Në 8 vitet e qeverisë tuaj ju investuat zero për muze apo teatro. Teatri i fundit i investuar në Shqipëri është në vitin ’70 para 2013. Në 8 vite kemi hapur kantieret për 6 muze e 6 qendra teatrore në Republikë. Për të mos folur këtu për qendrat historike turistike që kanë pasur prioritetet absolut. Edhe ky memorandum i rëndësishëm me SHBA vjen në këtë funksion dhe është reflektim i përpjekjeve tona për trashëgiminë kulturore dhe vjen në një kohë jo të rastësishme. Besoj se kjo ka lidhje me një marrëdhënie të fortë të Shqipërisë me SHBA. Sot, çelet Samiti për Demokracinë. Një iniciativë e zotit Biden që përfshin vende demokratike e qasje për zhvillim, e nuk është rastësi që Shqipëria është ftuar të marrë pjesë në këtë samit, që nis sot e nesër online. Mbështetja e pa lëkundur e SHBA-ve për konsolidimin e demokracisë në vend, lufta ndaj korrupsionit, është gurë themeli për demokracinë tonë të re. Dje ishte festë, 8 dhjetori, dita e rinisë. Përkujtimi i një dite që shqiptarët u zgjuan nga një sistem që i robëroi, fizikisht, psikologjikisht. 31 vite më vonë kemi shumë punë për të bërë ende për të konsoliduar demokracinë tonë të re. Shqipëria është sot në prag të çeljes së negociatave, është një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit OKB, për të vendosur në interes të zhvillimit të vendit. Ky samit, përcakton qartë disa piketa në luftën ndaj korrupsionit. Sot, Reforma në Drejtësi është ngritur me të gjitha institucionet përkatëse.

Patjetër ka nevojat e saj, sepse jemi demokraci e re, por ka dhënë shembull të mirë që ne mund t’ia dalim. Reforma në Drejtësi është një nga arsyet se përse Shqipëria është në këtë tryezë të rëndësishme. Sigurisht ne jetojmë në një botë që është më e rrezikuar nga qasjet e dhunshme, e nga minimi i demokracisë, nga dezinformomi, nga financimi i mediave, por Shqipëria ka treguar që është një faktor destabiliteti në Rajon dhe është me rëndësi që të bëhemi bashkë për të treguar që në këtë 31-vjetor të ndryshimit të pushtetit të zhytemi në politikë, ku mospranimin e mendimit ndryshe, cënimit të dinjitetit, e ka parësor e parim. Sot, që kjo luftë është zhvendosur brenda radhëve tuaja e keni kuptuar se sa e rëndësishme është të bëhemi bashkë e të luftojmë këtë politikë të mos pranimit të fjalës ndryshe, demokracisë, mosrepsektimin e kundërshtarit. Politika është një vokacion i të shumtëve. Ata të rinj që u ngritën dhe ata forca që krijuan pluralizmin në Shqipëri edhe sot kanë gjëra për të thënë për demokracinë e re. Demokracia duhet ushqyer me shembujt tanë çdo ditë, u shpreh Spiropali.