Aktualitet

Lajçak do të vizitojë Kosovën!

I Dërguari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi do të vizitojë dy vendet e gjithashtu Malin e Zi në fillim të muajit të ardhshëm. Nga data 1 deri më 3 mars, Mirosllav Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë e më pas në Beograd dhe Podgoricë.

Lajçak pritet të ketë takime me liderët politikë. Në të parin reagim pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë, Brukseli zyrtar bëri thirrje që partija fituese, të vazhdojë angazhimin konstruktiv për bisedimet me Serbinë. Por kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk e ka përcaktuar si prioritet dialogun me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë më 14 shkurt, ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.