Aktualitet

Lamtumirë Kosta Grillo!

Pas një beteje të gjatë me COVID-in, shuhet në moshën 59-vjeçare komentatori i shquar sportiv, Kosta Grillo.

Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë miku i komentatorit, Ervin Baku:

Vëllai ynë nuk ia doli dot. Të ndrittë shpriti Kosta Grillo!

Me një karrierë shumëvjeçare, të nisur në Televizionin Shqiptar që para viteve ‘90 e të vazhduar më pas në shumë ekrane, përfshirë Top Channel, Kosta Grillo mbylli sytë në një spital të Turqisë ku ndodhej në intubim prej 27 gushtit. Megjithë përpjekjen e gjatë, komentatori sportiv me zërin shumë karakteristik e popullor për publikun shqiptar, nuk ia doli të doli t’i mbijetojë infektimit me koronavirus.

Top Albania Radio i shpreh ngushëllime familjes dhe kujton me respekt, kolegun e bashkëpunëtorin e Top Media-s, Kosta Grillo. U prehsh në paqe!

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur të sportit, Kosta Grillo.

Lamtumirë Kosta! Shok qysh prej fëmijërisë, pastaj zë i dashur i sfidave futbollistike për vite e vite, sportdashës i paepur e njeri plot energji pozitive… humbi jetën në sfidën me virusin e mallkuar.

Edhe kryetari demokrat Lulzim Basha ngushëlloi familjen për humbjen e Kosta Grillos.

Fatkeqësisht komentatori i njohur sportiv, Kosta Grillo, e humbi betejën me COVID-19. Një lajm i trishtë për sportdashësit që falë zërit dhe profesionalizmit të tij kanë njohur emocionet e fushës së gjelbër. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve! U prehtë në paqe!