Aktualitet

Lejuan ndërtimin e një hoteli 7-katësh pa leje, arrestohen 11 persona në Sarandë!

Policia e Sarandës ka arrestuar 8 persona nga 11 urdhër-ndalimet e vulosura nga gjykata, me kërkesë të Prokurorisë së Sarandës, në kuadër të një hetimi të nisur për lejimin e ndërtimeve pa leje. Ndaj të ndaluarve janë ngritur akuzat e “Falsifikimit të dokumenteve”; “Ndërtim i paligjshëm”; “Shpërdorim i detyrës”.

Në ushtrim të detyrave funksionale të tyre, dyshohet se në shkelje të ligjit, të ndaluarit lejuan ndërtimin pranë vijës bregdetare në qytetin e Sarandës të një objekti 7 katësh pa leje ndërtimi dhe më pas kanë proceduar me legalizimin e këtij objekti.

Si rezultat e veprimeve hetimore të deritanishme, janë përftuar dyshime të arsyeshme mbi ekzistencën e disa veprave penale kryer nga funksionarë dhe ish funksionarë të pushtetit Vendor, bashkia Sarandë. Pas administrimit te provave në funksion të këtij procedimi penal, nga prokurori është urdhëruar ndalimi i 11 shtetasve me detyra dhe funksione të ndryshme shtetërore prej të cilëve është bërë e mundur ekzekutimi i ndalimit të  8 prej tyre të identifikuar si më poshtë; Ermen Stroka, me detyrë Specialist/inxhinier  në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë.

Erald Lika, me detyrë Specialist/inxhinier  në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë, Ina Papa, me detyre specialiste ne Drejtorinë vendore te Ashk Sarande. Viktor Qesari, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Tonin Simoni, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Oltion Durmishti, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë , Denis Balili, me detyrë specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë, Manushaqe Saliko,  me detyrë specialist/ inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Sarandë, po vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe marrjen në përgjegjësi penale edhe të personave të tjerë të përfshirë në veprime të paligjshme dhe shkelje ligjore në ushtrim të detyrave shtetërore.