Celebrities

Letër Tos Baxhakut… Nga Lorina Mixha

Tos sot është data e lindjes tënde.
Nuk i jepje rëndësi ditëlindjes, Vitit të Ri, gjithfarëlloj festash pagane, madje me elegancë na kushtove edhe një libër ne supersticiozëve, “Roje”.
Po për mua ka shumë rëndësi çdo gjë që më kujton ty, Tos Baxhakun, “Super Mario”, me xhaketë e kapele të kuqe.
Ta dish, se kam fshirë ende nga telefoni numrin tënd…
Besoj e sheh aty lart sa më merr malli për ty, sa shpesh të kujtoj, të përmend të paktën një herë në ditë.

Më mungon nënqeshja jote poshtë mustaqeve sa herë ngrysja vetullat, për pakënaqesitë e mia në punë, me njerëzit, me padrejtësitë.
Jam rritur pak, tani kam mësuar edhe unë të jem e sofistikuar, të qesh edhe kur më lëndojnë.
Nuk jam si në 2004, nuk më shqetëson më çfarë mendojnë të tjerët për mua, por çfarë mendimi kam unë për veten.
E vërteta është se gjithçka ç’ka jam unë sot në punë jam vetëm falë teje, që më ke dhënë me bollëk dije e dashuri për profesionin. Vërtet Tos këtë profesion duhet ta duash që ta bësh. Edhe unë si ti mendoj, lodhem, ndonjëherë mërzitem, por do vazhdoj ta mbaj premtimin,  nuk do bëhem burokrate, nuk do të vë një shall mëndafshi në qafë dhe të punoj diku me orar zyrtar 08:00-16:00.

Besoj do dal në pension si Gazetare…

Të jam shumë mirënjohëse për gjithçka, për librat që më ke dhuruar, për kritikën e vazhdueshme, për humorin e hollë, për të gjitha komplimentet që mi ke kursyer… Më vjen keq që gazetarët e rinj nuk do kenë mundësi të të njohin.
Sa mirë jam ndjerë që të gjeta si model, kisha shumë paqartësi, isha konfuze.
Ti më bëre të kuptoj qartë që gazetar është ai që punon për njerëzit, që shkon dhe i takon nga afër, që u troket në derë, që i dëgjon. Në emër të njerëzve u merr erzin Fuqive, u nxjerr në pah gabimet, gënjeshtrat, dyfytyrësinë o pafytyrësinë.

Gazetari është i thjeshtë, modest, i kuptueshëm kur flet dhe shkruan, si ti. Sa herë të kanë gjykuar për modestinë tënde, që s’u bëre kurrë si kolegët e brezit tënd, edhe gazetar edhe biznesmen…
Ke qënë përherë tepër lart, influencieri më i madh që kam njohur.

Top Channel, Klan, Vizion Plus, Gazeta Shqip, Revista XXL i themelove ti, po ishe kaq fisnik se i mbaje larg dënglat, shkëlqimin, dritat.
Asgjë që bëre nuk mbante era kompromis koleg. Je institucion kult, brand i padiskutueshëm i ndershmërisë.

E di që edhe unë si ti kam mbetur naiv [me (f)], jam modeste, qeshin me mua kur pi kafe me këdo, kur uroj, kur zgjatem. Jam e mërzitshme, e di, gazetën më pëlqen ta lexoj në letër të printuar, me pëlqen të rri me njerëz të thjeshtë, të vertetë, që janë të mençur, me dinjitet, që lexojnë libra, ndjekin socialen, ekonominë, kulturën, që janë të pasur si ti.

Hej Tos kemi punuar shumë, por akoma se kemi ndërtuar shtëpinë e ëndrrave.

Jam falenderuese për familjen, u martova me burrin që doja, jetojmë mirë, vazhdojmë të grindemi për “mustaqet e Çelos” por ka aq shumë dashuri në shtëpinë tonë, siç më ke uruar ngahera. Ashtu siç thoje ti, ajo sipërfaqe është më e rëndesishmja, me librat, lodrat, rrobat dhe gjithë rrëmujën.

Doja të thoja që nuk jam më Lori i vogël.

Bëj 37 vjeçe për pak dhe  mbush më shumë se 20 vite pune. Duhet të jesh i qetë, tani punoj në një redaksi që ngjan me atë të gazetës Shqip në 2006. Punojmë pa orar, por edhe në festa jemi bashkë, produktin e kemi të mirë, kemi etikë, i trajtojmë njerëzit me respekt, siç më ke mësuar. Doja të thoja se kam hapur Instagram. Mos qesh të lutem.

Është si rasti kur Shqipëria u pranua në NATO, thjesht erdhi koha koleg. Do e përdor mirë, të premtoj edhe pse s’jam e sigurtë për aftësinë time në këtë medium modern. Unë ruaj ende diktofonin e vjetër që më ke dhuruar.

Jashtë mode edhe kjo pajisje, si unë.

E fundit se u zgjata, ti e di që unë nuk shkruaj dot shkurt:

Më ka mbetur hatri për mënyrën si ike, pa më thënë asgjë. Më ka mbetur hatri njësoj si atëherë kur juria s’më dha Çmimin e parë për dokumentarin “Njerëzit e Plehrave”, por ti me zë tepër të ulët nëpër dhëmbë e the një “Bravo Lor, ishte më i miri”. Ishte çmimi më i madh për mua, por se prisja t’i kishe me pikatore fjalët e mira”.

 

E kuptove qe më mbeti hatri ndaj bashkë me Xaken (Bledar Zaganjori) më përcollët në shtëpi, niset të më thoshit që unë duhet të mbetesha projekti i të ardhmes… Të kisha model Mand Meron, Benet Kolekën, korrespondentët e BBC dhe Reuters. Të punoja, të mos bëja llafe për çmimet, të mos bëhesha zëdhenëse e poltikanëve, as shok mos t’i bëja kurrë. Ju dëgjoja koleg dhe doja t’ju rrihja të dyve…

Më ka mbetur hatri që nuk kërkove ndihmë, që nuk njoftove se nuk të kishte mbetur [shumë] kohë.
Ike me kaq nxitim o Tos, sa herë kishim folur që njerëzit e rëndësishëm ikin shpejt. Po sot mendoj që bëre mirë që na le pa shpjegime, edhe këtë herë kishe të drejtë, ke dashur të të kujtonim të qeshur, frymëzues.

Sot do ta pi një gotë për ty, do dëgjoj edhe këngën “Formidable”, do qesh me projektin e Kurrëkundit që ju paraqisja juve udhëheqjes, ty, Xakes, gjithë elitës që punonte në Top Media dhe kishte punuar në shkollën e madhe Gazetën Shqiptare.

Nëse unë do bëhesha drejtoreshë informacioni, apo [larg qoftë] kryeredaktore e Gazetës Shqip, nuk do nxirrrja asnjë politikan në edicion informativ, as në faqe të parë të gazetës, do nxirrja vetëm njerëzit (e zakonshëm), sociale, ekonomi, kulturë, lajme nga bota.

Po e mbyll me fjalën që na pëlqente shumë të dyve,

“Përqafime”…

Lorina Mixha është gazetare dhe autore. Këtë sezon është një prej autoreve të “Big Brother Vip” në Top Channel.