Bota

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un drejton tankun e ri dhe bën thirrje për përgatitje për luftë!

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, iu bashkua trupave të tij në stërvitjen e përdorimit të tankeve luftarake të llojit të ri, nga ku bëri thirrje për përpjekje më të mëdha për t’u përgatitur për luftë. Kjo u cilësua si përgjigje ndaj manovrave të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat pritet të përfundojnë sot pasdite.

Koreja e Veriut i sheh stërvitjet e rivalëve si një përgatitje për pushtim. Ndërkaq, stërvitja e Veriut komunist kishte si qëllim vlerësimin e aftësive luftarake të tankistëve dhe në të u përfshi një lloj i ri i tankut të luftës, të cilin Kim e quajti “tanku më i fuqishëm në botë”, sipas agjencisë koreane të lajmeve, KCNA.

Gjatë stërvitjes, tanket e rënda manovruan në rrethana të ndryshme të vështira luftarake dhe hodhën predha në drejtim të shënjestrave. Kim Jong-un u ngjit në njërin prej tankeve të tipit të ri dhe e drejtoi vetë, po sipas njoftimit të KCNA-së.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Veriut u zotua se do të kryente “aktivitete përgjegjëse ushtarake” si përgjigje ndaj stërvitjeve të vazhdueshme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut në Seul. Më vonë, Kim pa nga afër stërvitjet e gjuajtjes me artileri.

Stërvitja e përbashkët e SHBA-ve me Korenë e Jugut përfshiu ushtrimin e postit komandues të stimuluar me kompjuter dhe 48 lloje të tjera të stërvitjeve fushore, dyfish më tepër se manovrat e mbajtura vitin e kaluar.

Koreja e Veriut ka shtuar testimin e armëve prej fillimit të vitit 2022, në përpjekje për të modernizuar dhe rritur arsenalin e saj bërthamor e raketor. Si përgjigje ndaj saj, SHBA-të dhe Koreja e Jugut i kanë zgjeruar stërvitjet duke e përfshirë dhe Japoninë.

Ekspertët thonë se me gjasa, Kim dëshiron të përdorë arsenalin e rritur bërthamor për të siguruar koncensione nga Amerika, si për shembull, lehtësira të mëdha nga sanksionet ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut.

Ata shprehen se Koreja e Veriut pritet ta zgjerojë veprimtarinë e testimeve dhe ta shpeshtojë retorikën luftënxitëse këtë vit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut mbajnë zgjedhje të rëndësishme.