Bota

Koreja e Veriut nuk frenohet, teston raketahedhës të rinj e super të mëdhenj!

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbikëqyri stërvitje ushtarake që përfshinë lëshimin e raketahedhësve “të rinj” dhe “super të mëdhenj”, siç raportoi sot media shtetërore. Raportimi vjen vetëm një ditë pasi Seuli njoftoi se Peniani ka lëshuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë përfunduar një prej stërvitjeve më të mëdha të përbashkëta ushtarake javën e kaluar e që nxitën zemërim në Veri. Vendi komunist reagoi duke kryer ushtrime ushtarake.

Koreja e Veriut ka dënuar të gjitha stërvitjet e zhvilluara nga Uashingtoni dhe Seuli, të cilat i ka cilësuar si përgatitje për pushtim.

Në fillimjavë, ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se detektoi lëshimin e një “rakete balistike me rreze të mesme veprimi” nga Veriu. Kjo në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken qëndroi në kryeqytetin Seul për bisedime.

Raketahedhësi super i madh, i referuar me emrin KN-25 nga ushtria e Seulit dhe Uashingtonit, është një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, sipas agjencisë jugkoreane të lajmeve Yonhap. Koreja komuniste pretendon se kjo armë është e aftë të pajiset me kokë taktike bërthamore.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut tha se Kim ka vëzhguar stërvitjet ku u testuan “kapacitetet reale të luftës” të raketahedhësit prej 600 milimetrash, teksa theksoi rëndësinë e “përgatitjeve të luftës”.

Sipas Kimit, ky raketahedhës do të ndihmojë Veriun të “bllokojë dhe shtypë mundësinë e luftës me gatishmërinë e përsosur për të shkatërruar kryeqytetin e armikut”.

Gjatë këtij muaji, Peniani ka paralajmëruar Seulin dhe Uashingtonin se do të paguajnë “çmim të lartë” për stërvitjet e tyre ushtarake. Kim deklaroi se një njësi artilerie e shtetit të tij ishte e aftë të godiste kryeqytetin e Koresë së Jugut.

Javën e kaluar, Kim Jong-un vëzhgoi stërvitjen e parashutistëve, manovra që kishin për synim të shfaqnin aftësinë e ushtarëve të Koresë së Veriut për të pushtuar “menjëherë një rajon armik”, raportoi media shtetërore.

Testimi i raketës balistike ishte i dyti gjatë këtij viti, teksa më herët gjatë vitit, Veriu e ka shpallur Jugun “armikun kryesor” dhe shteti ka hequr dorë nga synimi për bashkimin e dy Koreve. Uashingtoni, një aleat kyç i Seulit, ka stacionuar rreth 27 mijë ushtarë amerikanë në Korenë e Jugut, për të ndihmuar Seulin që të mbrohet nga Peniani.