Showbiz

Live From Tirana/ Anjeza Dyrmishi: “Ekspozita e artit që mund t’ju ndryshojë jetën”

E ftuar në “Live From Tirana” mëngjesin e ditës së sotme ishte fotografja e talentuar Anjeza Dyrmishi e cila zbuloi detaje nga ekspozita e saj e fundit, mjaft e veçantë.

E nxitur nga ngjarjet e trishta të 2 muajve të fundit ku kanë humbur jetën 7 gra si pasojë e dhunës nga bashkëshortët apo familjarët, e gjithë ekspozita i kushtohet gruas.

Ajo zgjodhi të flasë për ato gra dhe vajza të cilat paragjykohen, dhunohen dhe shihen me keqardhje. Anjeza në ekspozitën e saj shfaq imazhet e shumë grave dhe vajzave të cilat me historitë e ndryshme të tyre kanë pushtetin të ndryshojnë botën dhe mentalitetin ku jetojmë.

“Gabim është të vrasësh shpresën, të ardhmen, të vrasësh një grua. Ku kupton që një ekspozitë arti të ndryshon jetën. Ky është qëllimi im, ku në çdo projekt të gjithë të jenë bashkë dhe të mbështesin njëri-tjetrin pa asnjë dallim” -shkruan ajo ndër të tjera në një postim në Instagram.

Gjatë intervistës së saj, artistja zbuloi se ekspozita e saj e radhës do të shfaqë realitetin dhe kaosin që po shkakton situata globale e Koronavirusit.