Aktualitet

Lodra për fëmijë me përmbajtje të rrezikshme, në kryeqytet bllokohet një sasi/Prindërve apel për kujdes!

Lodra me rrezikshmëri të lartë për fëmijët të hedhura në tregun vendas, në kryeqytet u bllokuan rreth 4 mijë e 500 të tilla nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. ISHMT apelon që konsumatorët të tregojnë kujdes kur zgjedhin lodra për fëmijë.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) në vijim të kontrolleve për mbrojtjen e konsumatorit, bllokoi një sasi të konsiderueshme artikujsh, kryesisht lodra për fëmijë. Trupat inspektuese nga kontrollet e ushtruara në kryeqytet bllokuan 39 artikuj të ndryshëm, ose rreth 4485 lodra për fëmijë.

Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet evropiane, pra janë të pamarkuara CE, në shkelje të ligjit nr.10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkte joushqimore”, i ndryshuar dhe V.K.M nr. 262/ 2013 “Për sigurinë e lodrave”.

Njëkohësisht artikujt e bllokuar janë të listuara në sistemet e shkëmbimit të shpejtë të informacionit të Komisionit Europian (Safety Gate Portal), si produkte të rrezikshme me ndikim në shëndetin e fëmijëve. Sipas ISHMT-së, artikujt e ndaluar paraqesin risk potencial kimik për shkak të përmbajtjes së lartë të ftalateve, migrimi i metaleve të rënda mbi nivele të lejuara, CMR të kategorizuara nga legjislacioni “Për kimikatet”, risk fizik duke shkaktuar mbytje, prerje apo dëmtime të tjera tek fëmijët.

Për shkak të shkeljeve nga ana e subjekteve importuese/tregtuese të konstatuara gjatë kontrollit nga grupet e inspektimit, janë vendosur nën masën bllokim (ndalim i përhershëm i tregtimit) 39 artikuj lodra (4485 copë në total), kryesisht plastike të cilat i janë nënshtruar procedurës së shkatërrimit.

ISHMT u bën thirrje konsumatorëve të kenë kujdes kur zgjedhin lodrat për fëmijë. Markimi CE duhet të jetë i vendosur në mënyrë të paheqshme dhe me përmasa jo më të vogla se 5 mm. ISHMT thotë se ka në fokus të punës së saj ndërgjegjësimin e subjekteve dhe informimin e tyre për zbatimin me korrektësi të ligjit, ndërsa rikujton detyrimet që rrjedhin prej tij, në mbrojtje të konsumatorëve dhe të konkurrencës së ndershme.