Bota Sport

Lojërat e Tokios, rasti i parë me COVID në Fshatin Olimpik!

Vetëm 6 ditë na ndajnë nga fillimi i Lojërave Olimpike të Tokios të shtyra nga viti i kaluar për shkak të pandemisë koronavirus por COVID-i nuk ka ndërmend t’iu ndahet.

Ende pa filluar dhe nga Japonia vjen lajmi për rastin e parë me koronavirus të regjistruar në Fshatin Olimpik të Tokios. Njoftimi është zyrtar, i konfirmuar nga organizatorët.

Për momentin dihet vetëm se nuk bëhet fjalë për një atlet të infektuar dhe mësohet se u morën masa që i prekuri të dërgohej në një hotel ku u vendos në karantinë. Rasti nuk u sinjalizua nga simptomat por nga testi dhe personi vinte nga jashtë Japonisë. Për të ruajtur anonimatin nuk bëhet e ditur kombësia.

Presidentja e Tokio 2020, Seiko Hashimoto:

Po bëjmë të pamundurën për të parandaluar çdo vatër të mundshme COVID-i. Nëse krijohen të tilla, ju sigurojmë se kemi një plan efikas për t’iu përgjigjur!

Shtyrja nga viti i kaluar dhe masat anti-virus kanë sjellë një kosto shtesë prej 2.3 miliardë eurosh duke e çuar buxhetin zyrtar në 13 miliardë.

Ajo që dihet me siguri është se nga 23 korriku e deri më 8 gusht, 11 mijë atletët pjesëmarrës ndalohen të përqafohen, duhet të mbajnë maska me përjashtim të rasteve kur janë duke ngrënë, fjetur apo garuar. Mund të zhvendosen vetëm mes Fshatit Olimpik e vendeve të stërvitjes dhe garimit.

Mbi 80% e personave në Fshatin Olimpik janë vaksinuar kundër COVID-it e po ashtu i nënshtrohen testeve të përditshëm për koronavirus.