Bota

Lufta me Rusinë, forcat ukrainase shënojnë përparim në rajonin e Zaporizhjas!

Forcat ukrainase po vazhdojnë ofensivën në zonat Melitopol e Berdiansk të rajonit jugor Zaporizhja. Kështu njofton ushtria e Ukrainës që raporton se ka rifituar disa territore në rajonin lindor të Donjeckut.

Javën e kaluar, si rezultat i veprimeve sulmuese në lindje e në jug, u çliruan pothuajse 18 kilometra katrorë. Në zonën Bahmut të Donjeckut, forcat ukrainase arritën të rimarrin disa territore. Arrin në mbi 210 kilometra katrorë, territori i përgjithshëm i rifituar nga trupat ukrainase që nga fillimi i kundërsulmit.

Forcat ruse të kryesuara nga ushtarët e grupit mercenar Wagner, pushtuan qytetin Bahmut në maj, pas disa muajsh luftimesh të rënda. Por, trupat ukrainase të armatosura nga Perëndimi kanë arritur të depërtojnë në veri e në jug të qytetit të shkatërruar.

Javën e kaluar, afro shtatë kilometra katrorë u çliruan rreth Bahmutit, ku më shumë se 30 kilometra katrorë u rimorën nga forcat e Kievit.

Në raportin ditor, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se trupat ruse po përqendrojnë operacionet kryesore ushtarake në drejtimet Bahmut, Avdivka, Kupiansk e Marinka, në rajonin e Donjeckut.

Trupat ukrainase kundërshtuan përpjekjet e forcave ruse për të sulmuar pozicionet e tyre në Donjeck. 28 beteja të ashpra u zhvilluan në lindje të rajonit gjatë 24 orëve të fundit.

Luftimet e fundit erdhën pasi forcat ruse sulmuan tre herë rajonin lindor të Ukrainës, Harkivin, një ditë më parë.

Sipas ushtrisë ukrainase, katër raketa S-300 u hodhën nga ushtria ruse nga rajoni Belgorod në Rusi. Dy nga këto raketa u shpërthyen në ajër, ndërsa dy të tjerat goditën objektivat e tyre. Një raketë ra në një stadium, ndërsa një tjetër, në një rrugë brenda qytetit.

Më herët u njoftua një shpërthim në urën kryesore që lidh Gadishullin e Krimesë me Rusinë, ndalohet qarkullimi i makinave. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në rajonin rus Krasnodar e që ndodhet në skajin lindor të urës, për pasojë humbën jetën dy bashkëshortë, ndërsa vajza e tyre pësoi lëndime. Pa një arsye specifike, sot u njoftua mbyllja e urës nga guvernatori i Krimesë, gadishullit të Ukrainës që në vitin 2014 u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Moska.