Aktualitet

Lufta në Ukrainë, shqiptarët më të shqetësuarit në Ballkan për ekonominë!

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal realizoi Barometrin Rajonal për matjen e perceptimit pas luftës ruse në Ukrainë, duke evidentuar se 66% e qytetarëve në Ballkan bien dakord se lufta paraqet rrezik për ekonominë e tyre. 30% mendojnë se ka një rrezik të madh. Në vendet e rajonit, qytetarët nuk kanë shumë shpresë te siguria e situatës ekonomike nga kushtet e reja të krijuara nga lufta.

Shumica e tyre, 50% mendojnë se do të mbetet e njëjtë. Një e treta, 35% janë të mendimit se do të përkeqësohet dhe vetëm një pjesë e vogël, 9% kanë besim se do të përmirësohet.

Më optimistë janë shtetasit e Kosovës, 15% dhe malazezët, 10%, ndërsa më pesimistët, shqiptarët 46% dhe serbët 41%. Në përgjithësi, të anketuarit në Ballkan janë më të kënaqur me mënyrën si autoritetet kanë reaguar ndaj luftës në Ukrainë.

Të anketuarit nga Maqedonia e Veriut 67% dhe Bosnje-Hercegovina 66% ishin më pak të kënaqur, ndërsa të anketuarit nga Kosova 69% dhe Serbia 60% ishin më të kënaqurit.

Gati 77% e qytetarëve në rajon mendojnë se do të ketë rënie ekonomike, 63% kanë pasiguri në furnizimin me gaz, 35% i kanë ekonomike këto pasiguri, 21% frikësohen nga thellimi i ndarjeve sociale e politike, 14% druhen nga ngadalësimi i integrimit në BE dhe 23% i frikësohen një fluksi të ri refugjatësh në rajon.

Në të gjitha ekonomitë e rajonit, tre shqetësime janë kryesore: Rënia ekonomike; Furnizimi me ushqim e gaz dhe siguria e ekonomisë së tyre. Siguria ekonomike dominon shqetësimet në rajon përveç Serbisë, ku 41% e qytetarëve e perceptojnë fluksin e refugjatëve si një nga tre efekte të rëndësishme shqetësuese.

Pothuajse shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë pro sanksioneve ekonomike kundër Rusisë 48%, ndërsa pothuajse i njëjti numër 45% nuk i miraton.

Qytetarët nga Kosova kryesojnë me 84% pro miratimit të masave duke iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa 77% e serbëve janë kundër sanksioneve.

Deri në 71% e të anketuarve nga Maqedonia e Veriut mendojnë se sanksionet ekonomike nuk duhet të vendosen ndaj Rusisë. Lufta në Ukrainë ka ndikime të mëdha jetën e përditshme të qytetarëve në rajon, e shfaqur me mungesën e furnizimit me energji dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve të ushqimeve./Monitor