Bota

Lufta ruse në Ukrainë, Moska kryen sulme vdekjeprurëse!

Të paktën dhjetë persona janë vrarë nga sulmet me dronë dhe raketa lundruese të Rusisë ndaj Ukrainës. Moska ka sulmuar Ukrainën gjatë mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesit të ditës së sotme. Në qytetin perëndimor të Lvivit, një godinë e infrastrukturës kritike është goditur nga një sulm me dron. Lajmin e njoftoi kryebashkiaku Andriy Sadovyi, përmes një postimi në Telegram.

Në Odesa, në jug të Ukrainës, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një ndërtesë të lartë. Edhe në Harkiv, në verilindje, pati disa shpërthime pas sulmeve me raketa. Sadovyi theksoi se Lvivi u sulmua me mbi 10 dronë kamikazë Shahed, të prodhimit iranian.

Në rajonin Sumi, në verilindje të Ukrainës, si pasojë e një sulmi me raketa në qytetin Konotop u plagosën tre persona dhe u dëmtua një ndërtesë banimi e një punishte. Gjatë natës, Harkivi u sulmua me mbi 10 raketa. Guvernatori Oleh Syniehubov u shpreh se duhet të verifikohen dëmet e shkaktuara nga sulmet.

Një valë e dytë e sulmeve ajrore pasoi mëngjesin e sotëm. Sirenat ranë në mbarë Ukrainën dhe banorët u udhëzuan që të shkojnë në vendstrehime.

Kievi dhe qyteti industrial, Dnipro, po ashtu u shënjestruan nga sulmet ruse. Shpërthime janë raportuar në dy qytetet, ku jetojnë mbi 1 milion banorë. Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina po mbron veten nga pushtimi i paprovokuar i nisur nga Rusia, mbi 22 muaj më parë.