Bota

Luftime intensive në lindje të Ukrainës!

Luftime të ashpra në lindje të Ukrainës. Në rajonin Donjeck, separatistët e mbështetur nga Moska po përpiqen të largojnë forcat e Kievit nga qytetet Bakhmut e Avdiyivka, ndërsa zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë se Rusia mund të nisë ofensivë të re në jug. Forcat ruse bombarduan një qytet ukrainas pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhjas, teksa qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv u bombardua nga rusët. Krahas zonave në qytetin e afërt Chuhuiv, një raketë goditi një ndërtesë banimi 5-katëshe.

Forcat ukrainase luftuan me sukses kundër rusëve në verilindje dhe lindje të qyteteve Soledar e Bakhmut të rajonit Donjeck, teksa luftimet po vazhdonin në jug të Bakhmutit. Por, trupat ukrainase u detyruan të tërhiqeshin nga fshati Semyhirya dhe nga pozicionet në jug-lindje të Avdiyivkas.

Moska mund të nisë një ofensivë në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson, në përpjekje për të rifituar vrullin në luftë e ka grumbulluar forca atje. Udhëheqësit separatistë të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donjeckut thanë se bombardimet ukrainase vranë të paktën pesë persona e plagosën gjashtë të tjerë.

Ndërsa vetë qyteti është kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, ushtria ukrainase vazhdon të mbajë zona të mëdha të rajonit përreth Donjeckut, megjithëse forcat ruse thonë se tani po marrin territore të rëndësishme. Pavlo Kyrylenko, guvernatori ukrainas i Donjeckut, tha në Telegram se tre civilë janë vrarë nga bombardimet ruse në Bakhmut, Maryinka e Shevchenko dhe pesë të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit. Tetë vetë u vranë dhe katër u lënduan nga sulmet e artilerisë ruse në qytetin Toretsk, në Donjeck.

Bombardimet pranë termocentralit bërthamor në Zaporizhja, tashmë shkaktuan shqetësimin e OKB-së. Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha se “çdo parim i sigurisë bërthamore u shkel në central”. Në buletinin e përditshëm të Inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe vlerëson se synimet e Rusisë ndaj centralit bërthamor mbeten të paqarta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken akuzon Moskën për përdorimin e termocentralit si “mburojë bërthamore”. Ndërkohë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha dje se anëtarët e Aleancës po punojnë ngushtë me kompanitë e mbrojtjes për të siguruar që Ukraina të marrë më shumë furnizime me armë e pajisje, për t’u përgatitur për një kohë të gjatë në luftën kundër pushtuesve rusë.