Sport

Luiza Gega flet për Lojërat Olimipike dhe polemikat rreth shpërblimeve të saj nga shteti shqiptar…

Janë mbajtur në qytetin e Elbasanit garat e kampionatit individual dimëror të atletikës, në të cilën morën pjesë 11 ekipe me rreth 220 sportistë meshkuj e femra. Një aktivitet ku nuk munguan as emrat “Big” si Luiza Gega dhe Franko Burraj, të cilët në fund u shpallën edhe sportistët më të mirë të aktivitetit, respektivisht me 1142 dhe 1112 pikë të grumbulluara. Luiza Gega foli për objektivat e saj këtë vit, ndërsa sqaroi polemikat për shpërblimet.

Objektivi janë garat ndërkombëtare. Ky vit është shumë i rëndësishëm, pasi janë dy aktivitete madhore si kampionati Europian e Lojërat Olimpike dhe synimi aty është. Kampionati Europian do të jetë një emocion i veçantë, sepse shkoj si kampione Europe në fuqi dhe ka një përgjegjësi. Unë nuk po kërkoj një mbështetje ekstra, por një zbatim të ligjit për shpërblimet. Unë kam marrë shpërblime, por jo të gjitha. Rekordin ballkanik që e njeh Federata Botërore e Atletikës, nuk e njeh Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri.

Rikujtojmë se në vitin 2022, atletja shqiptare bëri një paraqitje fantastike në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke u shpallur Kampione e Europës në Europianin e atletikës që u zhvillua në Mynih. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë të regjistruar në fazën kualifikuese dhe ishte pretendente kryesore për të fituar këtë garë. Këtë gjë e tregoi më së miri duke diktuar ritmin dhe duke marrë kryesimin që pas 100 metrave të parë, për të lënë pas të gjithë rivalet që kërkonin t’i rrëmbenin nga duart një medalje që e ndiqte prej shumë kohësh. Askush nuk mbajti ritmin fantastik të Luiza Gegës në këtë garë dhe sportistja shqiptare ia doli të kalonte finishin e vetme me kohën 9.11.31, që u bë rekordi i ri i Kampionatit Europian, duke thyer me 6 sekonda atë të vendosur në vitin 2010 nga rusja Zaripova.