Bota

Macron në Kinë: Mbështetem te Pekini që ta bëjë Rusinë të arsyetojë!

Ndërsa lufta në Ukrainë është në ditën e 407-të, presidenti francez Emmanuel Macron udhëtoi drejt Kinës për bisedime me homologun Xi Jinping. Dy liderët shprehen kundër përdorimit të armëve bërthamore, si dhe kërkojnë bisedime paqeje mes Rusisë e Ukrainës, sa më shpejt të jetë e mundur. Shefi i Elizesë, Macron deklaroi:

Mbështetem te Pekini për ta çuar Rusinë në rrugën e arsyes, sepse mund të ketë rol jetësor për paqen.

Për krizën ukrainase, Kina thekson se duhet të promovojë bisedimet e paqes dhe një zgjidhje politike, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Francën, për të ftuar komunitetin ndërkombëtar të ruajë një moderim racional e të shmangë veprimet që mund ta përkeqësojnë krizën apo ta nxjerrin jashtë kontrolli. Presidenti Jinping:

Duhet të respektohet me rigorozitet e drejta ndërkombëtare humanitare, të mos sulmohen qytetarë dhe struktura civile e të mbrohen gratë, fëmijët e të tjera viktima të konfliktit.

Ndërkaq, Moska zyrtare paralajmëron:

Asnjë negociatë për Krimenë, operacioni special e vetmja rrugëdalje në Ukrainë.  Pa perspektiva për paqen në horizont, për momentin nuk ka tjetër rrugë për ne, përveçse të vijojmë me operacionin. Deklaratat e zyrës së Zelesnky-t mbi gatishmërinë e Kievit për të negociuar me Rusinë për Krimenë, nuk kanë lidhje me realitetin. Nuk mund të ketë bisedime për Krimenë apo të tjera subjekte të Rusisë.

Kievi e ka bërë të qartë se është gati të diskutojë për të ardhmen e Krimesë me Moskën, në rast se forcat ukrainase arrijnë në kufirin e gadishullit që Rusia i aneksoi Ukrainës në vitin 2014. Në Ukrainë vijojnë luftimet dhe sot në Melitopol u dëgjuan disa shpërthime të fuqishme në këtë qytet të pushtuar nga rusët, në Zaporizhja. Burime pro-ruse thonë se të paktën tre shpërthime u dëgjuan në disa pjesë të qytetit për shkak të disa veprimeve në sistemin e mbrojtjes ajrore të Rusisë.