Aktualitet

Manastirliu: Nis aplikimi i terapisë ABA për personat me aftësi të kufizuar!

Në Ditën Botërore të të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, Qendra Kombëtare Rehabilituese dhe Trajtuese të Fëmijëve, ka rifilluar punën, pas rindërtimit të saj.

Në këtë qendër, janë shtuar terapitër për fëmijet e spektrit autik.

-Është bërë e mundur aplikimi i terapive të reja, sikurse është terapia ABA, një terapi shumë e rëndësishme përsa i përket terapive të aplikimit të sjelljeve dhe terapive të zhvillimit të fëmijëve, jo vetëm identifikimin dhe kapjen e hershme të sindromave, por edhe për të ndërgjegjësuar prindërit”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Sa i përket personave me aftësi të kufizuar, tashmë të gjithë ata që jetonë në zonat rurale, shërbimet do t’i kenë pranë qytetit të tyre, duke mos u detyruar të vijnë deri në Tiranë.

“Ajo që ne përfundojmë këtë vit, është pikërisht shtrirja në të gjithë rajonet e strukturave tona që do të bëjnë vlerësimin bio-psiko-social. Tashmë do të jenë afër vendbanimit edhe në këto 5 qarqe që ende nuk ishte shtrirë reforma”, u shpreh ajo.

Në Qendrën Kombëtare Rehabilituese dhe Terapeutike për Fëmijë janë vlerësuar 1240 fëmijë. Gjithashtu marrin terapi me hospitalizim fëmijët nga rrethet, mesatarisht 30 fëmijë në muaj.