Rajoni

Maqedoni e Veriut, dërgohet në paraburgim ish-sekretari i Përgjithshëm i qeverisë!

Dërgohet në burgun e Shkupit, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Për Muhamed Zeqirin, Gjykata Themelore caktoi masën e sigurisë “30 ditë paraburgim”. Ai akuzohet “Për shpërdorim detyre” lidhur me një kontratë për shërbime konsulence. Për të njëjtën vepër penale dyshohen edhe dy kroatë, por ata nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut.

Ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes së gjurmëve, ndikimit te dëshmitarët, si dhe mundësisë që të përsërisë veprën.

Prokuroria dyshon se në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, pa procedurë të prokurimit publik, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani. Kjo kontratë kap vlerën totale prej rreth 941.985 eurosh, që është rreth 147 mijë më shumë se ajo e parashikuar.

Pas nisjes së hetimeve të Prokurorisë, Muhamed Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Me bindjen se do të shpallet i pafajshëm, deklaroi:

Unë besoj te institucionet e sistemit, besoj te drejtësia dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Jam në dispozicion të të gjitha institucioneve në çdo kohë, për të provuar pafajësinë time.

Dorëheqja e tij u pranua nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Muhamed Zeqiri u zgjodh sekretar i Përgjithshëm në nëntor të vitit 2020. Më herët ka punuar si gazetar në vendin fqinj ndërsa në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 u zgjodh deputet në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev.