Rajoni

MV, Davkova e VMRO-DPMNE/së kryeson bindshëm garën presidenciale!

Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, udhëheq bindshëm në garën presidenciale ndaj rivalit social-demokrat, presidentit aktual, Stevo Pendarovki në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa janë numëruar rreth 97% të votave të hedhura, duket se Davkova ka siguruar 40.2% të tyre ose 352,800 vota sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në vend të dytë renditet Pendarovski me rreth 175,400 ose 19.9% të votave. Rezultatet paraprake tregojnë për një balotazh mes dy kandidatëve kryesorë.

Nga shqiptarët, kandidati Bujar Osmani i koalicionit Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim mori 117,200 vota ose rreth 13.36% ndërsa Arben Taravari i koalicionit “VLEN”, 82,200 vota apo rreth 9.37%.

Kandidati i partisë “Znam”, Maksim Dimitrievski ka marrë 78.200 vota ose 8,9%. Biljana Vankovska e partisë “E Majta” ka siguruar 40 mijë vota ose 4,42% dhe Stevço Jakimovski i “Opsionit Qytetar për Maqeodninë” ka marrë 7900 vota ose 0,90%

Pendarovski tha se duke filluar nga sot do të nisë takimet me qytetarët. Presidenti aktual theksoi se koncept i fushatës së tij ka qenë ai i “një shteti jo të izoluar por të integruar në Europë”, teksa shfaqi shpresat se në raundin e dytë do të ketë mbështetje të madhe.

Osmani shpalli “fitoren” në selinë e BDI-së në Tetovë ndaj rivalit Taravari. Më shumë vota, ai mori në Tetovë, Strugë, Dibër të Madhe, Çair e Saraj të Shkupit, si dhe në disa zona të tjera rurale. Përkrahës të BDI-së, të udhëhequr nga Artan Grubi dhe eksponentë të lartë të kësaj partie në Shkup, u mblodhën për të festuar në sheshin Skënderbej, shumë pranë selisë së koalicionit VLEN. Kjo bëri që policia të mobilizohej në mbrojtje të shtabit të partive opozitare, ndërsa akti u vlerësua si provokim ndaj koalicionit VLEN nga ana e BDI-së.

Më herët, Arben Taravari tha se do të tërhiqet nga politika nëse konfirmohet humbja e tij ndaj Osmanit. I pyetur në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve, ai tha se koalicioni VLEN do të vendosë se cilin kandidat të mbështesë.

Në zgjedhjet presidenciale morën pjesë rreth 48% e 1,8 milion banorëve me të drejtë vote. Pjesmarrja në votime shënoi një rritje prej 9% në krahasim me presidencialet e 2019-ës. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se janë paraqitur rreth 300 ankesa për parregullsi, mes tyre fotografimi i votës dhe pamundësia e disa individëve për të votuar pasi nuk figuronin në regjistrin zgjedhor. KSHZ raportoi se disa nga këto ankesa u zgjidhën e po punohet për një pjesë tjetër ndërsa hodhi poshtë si të pabaza disa ankesa të tjera.

Misioni i ODIHR-it ka mbi 320 vëzhgues që po ndjekin procesin, ndërsa një numër edhe më i madh i vëzhguesve vendas është aktiv në terren.

Shefja e misionit të ODIHR-it, Jillian Stirk njoftoi se mbi 200 vëzhgues ishin shpërndarë në të gjitha zonat. Vëzhguesit afatgjatë gjenden në Maqedoninë e Veriut që nga hapja e misionit në fund të marsit. Sot, ODIHR do të bëjë komente lidhur me ecurinë e procesit.

Në Maqedoninë e Veriut, presidenti ka një mandat 5-vjeçar dhe zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, ndonëse kohët e fundit janë shtuar debatet sidomos në radhët e partive politike shqiptare që presidentin ta zgjedhë parlamenti, por partitë maqedonase nuk bien dakord.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian që nga fundi i vitit 2005 e përparimi drejt bllokut ka qenë i ngadalshëm dhe i vështirë. Zgjedhjet presidenciale e ato parlamentare të 8 majit shihen me interes të madh publik e jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Kjo për shkak të besimit në rënie për BE-në e zvarritjen e procesit të integrimit apo dhe për debatet mbi ndikimin dashakeq të Federatës Ruse.