Rajoni

Maqedoni e Veriut, nxirren nga lumi Lepenc trupat e tre shtetasve të Kosovës!

Në Maqedoninë e Veriut, njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje e shpëtim nxorën nga ujërat e lumit Lepenc makinën me tre trupat e pajetë të shtetasve të Kosovës. Pas përplasjes me një automjet tjetër me targa të Shkupit, BMW-ja e tyre ra në lumë, dy ditë më parë.

Aksidenti ndodhi në afërsi të Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve, në Bllacë. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhej:

Zyrtarët policorë të Njësisë Speciale Antiterroriste kanë gjetur të vdekur tre personat të cilët po kërkoheshin në lumë pas aksidentit të shtunën në rrugën Shkup-Bllacë. Eshtë gjetur edhe automjeti BMW në të cilin ndodheshin personat, tashmë të vdekur.

Në mjetin me targa të Kosovës ishin katër persona dhe njëri prej tyre ka arritur të dalë prej makinës, ndërsa tre të tjerët mbetën të fundosur në lumin Lepenc.

Personi që arriti të shpëtojë u dërgua në spitalin “8 Shtatori” në Shkup dhe mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore. Lajmin e konfirmon edhe policia maqedonase.

Më herët gjatë ditës së djeshme, autoritetet maqedonase njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit, që u përplas me makinën me targa të Kosovës.

Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volkswagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme.

Në momentin e aksidentit, sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut nga moti i keq nq zonë.

Në operacionin e nxjerrjes së makinës kanë marrë pjesë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova. Në vendin e ngjarjes shkuan ambasadori i Prishtinës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.