Aktualitet

Maratona e Tiranës zhvillohet më 17 tetor, ja me sa para’ do të shpërblehen fituesit!

Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka certifikuar për herë të parë Tiranën si organizatore profesioniste të maratonës së 17 tetorit, duke e licencuar edhe për itinerarin e plotë të garës prej 42 kilometrash.

Kryebashkiaku Erion Veliaj:

Këtë vit pritet të garojnë mijëra sportistë dhe qytetarë të apasionuar pas garave sportive, vendas e të huaj.

Duke iu bërë thirrje të gjithëve për t’iu bashkuar ngjarjes më të madhe sportive të vitit, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, për shkak se e diela e 17 tetorit do të jetë edhe një ditë pa makina në kryeqytet.

Pas dy viteve shkëputjeje për shkak të pandemisë, këtë vit kemi edicionin më special të maratonës, sepse është hera e parë që jemi licencuar për një maratonë të plotë, prej 42 kilometrash. Sigurisht do të garohet edhe për 21 km, 10 km, për kategorinë “We Too” apo “Fun Run” për fëmijët. Maratona e plotë kërkon edhe kohëzgjatje në organizimin e saj, ndaj na duhet mirëkuptim nga qytetarët.

Kreu i Bashkisë Tiranë e quajti “ditë feste” 17 tetorin, madje tha se po organizohen edhe koncerte e aktivitete të tjera.

Ne kemi planifikuar jo vetëm pjesën sportive, e cila është më e rëndësishmja, pasi jemi certifikuar si zhvillues të denjë të një gare sportive, njësoj si kryeqytete të tjera të botës, por kemi edhe pjesën festive. Në 7 pika në qytet po organizojmë evente me muzikë dhe minikoncerte, pasi duam që qyteti ta përjetojë si një festë të madhe.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se kjo ditë do të shërbejë edhe për vetë ekonominë lokale, pasi janë regjistruar deri tani mbi 1000 atletë, që do vijnë nga jashtë Tiranës apo të huaj, ndërsa e konsideroi edhe një sprovë për evente të përmasave të tilla.

Veliaj zbuloi se ndryshe nga maratonat e shkuara, itinerari këtë herë nuk është vetëm Tirana urbane, por edhe parqet e qytetit, një tjetër promovim për Tiranën turistike.
Kryebashkiaku shtoi se mosha mesatare e personave të regjistruar për të marrë pjesë në maratonën e Tiranës është 30-vjeç, si dhe publikoi çmimet për fituesit. Për kategorinë 42 km, çmimi i parë do të jetë 5000 euro, i dyti 3000 dhe i treti 2000 euro, si për vajzat, ashtu edhe djemtë.

Maratona e Tiranës 2021 do të mbahet më 17 tetor e do të ketë 4 kategori: Marathon (42.195 km); Half Marathon (21, 0975 km); Tirana 10K dhe “We too”. Nuk do të mungojë as gara Fun Run, e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe, më 16 tetor 2021, me të rinjtë e shkollave të mesme.