Bota

Marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ja kushti i Arabisë Saudite!

Arabia Saudite njoftoi Shtetet e Bashkuara se nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike me Izraelin nëse nuk njihet një shtet i pavarur palestinez bazuar në kufijtë e 1967-ës, që përfshijnë Jeruzalemin Lindor. Po ashtu, nëse nuk ndalohet “agresioni” izraelit në Rripin e Gazës. Kjo thuhet në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, të publikuar sot.

Ideja që Izraeli dhe Arabia Saudite të çimentojnë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike ishte pjesë e diskutimeve që kur sauditët dhanë pëlqimin për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin. Marrëdhëniet me Izraelin, ato i vendosën në vitin 2020.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha se administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka marrë reagime pozitive se Arabia Saudite dhe Izraeli janë të gatshëm të vazhdojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Mbretëria e Arabisë Saudite e bëri deklaratën për të pohuar qëndrimin e saj të palëkundur ndaj Uashingtonit lidhur me çështjen palestineze nën dritën e komenteve që i atribuohen Kirby-t.

Arabia Saudite ngriu planet e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin. Kështu i thanë agjencisë së lajmeve Reuters në tetor të vitit të kaluar burime që kanë dijeni mbi vendimet e Riadit zyrtar, ndërsa u përshkallëzua lufta mes grupit militant palestinez Hamas dhe forcave izraelite.

Izraeli filloi ofensivën ushtarake në Gazën e kontrolluar nga Hamasi pasi më 7 tetor militantët e organizatës ndërmorën një aksion terrori në Izrael duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz dhe marrë peng 253 të tjerë.