Bota

Marrëveshja për grurin, nuk afron armëpushimin Moskë-Kiev!

Nesër mbushen 5 muaj nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan sot në qytetin Mykolaiv ku në mëngjes ranë sirenat e alarmit. Gjithashtu, pushtuesit rusë bombarduan përsëri lagjet rezidenciale në Slloviansk dhe të paktën tre banorë mbetën të plagosur. Po ashtu, u dëmtuan gjashtë godina me nga pesë kate e disa shtëpi private.

Për shkak të agresionit të Moskës kundër vendit fqinj, dëmet ndaj mjedisit në Ukrainë, vlerësohen në të paktën 5.5 miliardë dollarë. Ndërkohë, një zhvillim i rëndësishëm është firmosja e marrëveshjes për grurin mes Moskës e Kievit, dje në Stamboll të Turqisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u shpreh i kënaqur lidhur me akordin për zhbllokimin e eksporteve të grurit. Nga Ukraina do të eksportohen rreth 20 milion tonelata grurë nga prodhimi i vitit të kaluar e po ashtu pritet të jetë në shitje edhe sasia e këtij viti, sapo ta kenë gati.

Tashmë, kemi rreth 10 miliardë dollarë grurë.

Marrëveshja u përshëndet gjerësisht nga liderët botërorë, mes tyre edhe kryeministri Rama, i cili përshëndeti Turqinë dhe presidentin Erdogan për rolin e luajtur në arritjen e marrëveshjeve për eksportin e grurit nga Ukraina. Në një postim në Twitter shkroi:

Përgëzoj Turqinë dhe Erdogan-in për rolin kritik të luajtur dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të arritur “Iniciativën e Detit të Zi” për eksportin e grurit nga Ukraina. Kjo tregon edhe një herë se dialogu dhe diplomacia janë mjetet e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur problemet midis shteteve.

Por, marrëveshja nuk afron armëpushim mes palëve. Për Zelensky-n, “ngrirja e konfliktit me Federatën Ruse, nënkupton mundësinë e pushimit për Moskën, asgjë më shumë”.

Marrëveshja, e cila synon të eliminojë një krizë globale ushqimore në rritje, parashikon krijimin e një qendre kontrolli të drejtuar nga Kombet e Bashkuara në Stamboll, me staf nga përfaqësues të Rusisë, Ukrainës e Turqisë për të mbikëqyrur eksportet e drithërave. Palët ranë dakord që anijet e destinuara për në Ukrainë, së pari të kontrollohen për të siguruar që në bord nuk do të ketë armë ose pajisje të tjera ushtarake. Fillimisht në fuqi për katër muaj, akordi rregullon edhe eksportet e ushqimit, plehrave e amoniakut.