Bota

Marrëveshje armëpushimi Armeni-Azerbajxhan!

Një zyrtar i lartë armen bëri të ditur se Armenia arriti marrëveshje për armëpushim me Azerbajxhanin, pas dy ditësh luftime të ashpra. Tensionet lidhen me përplasjet që vazhdojnë prej dekadash për rajonin e Nagorno-Karabakut. Armen Grigorian, Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Armenisë, i tha televizionit armen se “falë përfshirjes së komunitetit ndërkombëtar, u arrit marrëveshje për armëpushim”.

Armëpushimi po zbatohet prej disa orësh. Nuk ka të shtëna me armë zjarri në kufi.

Por, Azerbajxhani nuk po deklarohet rreth ndonjë armëpushimi që do të ndalte luftimet më vdekjeprurëse në mes të të dy shteteve prej vitit 2020.

Në Jerevan, mijëra njerëz dolën dje në protesta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, të cilin e akuzojnë se po e bën për vete Azerbajxhanin. Protestat spontane shpërthyen pas deklarimit të Pashinianit në Parlament se është gati “të marrë vendime të vështira, për hir të paqes”.

Ne duam të nënshkruajmë një dokument dhe pas këtij vendimi, shumë njerëz do të na kritikojnë, mallkojnë e do të na shpallin tradhtarë.

Ndërkohë, nuk ka dhënë hollësi për përmbajtjen e dokumentit. Dje ishte dita e dytë e luftimeve mes Armenisë e Azerbajxhanit, ndërsa liderët botërorë bënë thirrje për ndalim të menjëhershëm të konfliktit. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për luftimet e reja.

Armenia njoftoi se të paktën 100 ushtarë të saj u vranë, ndërsa Azerbajxhani deklaroi se humbi 50 ushtarë. Me ndërmjetësim të Rusisë, Armenia dhe Azerbajxhani pranuan një armëpushim më 2020-ën, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e atij viti për Nagorno-Karabakun.

Ky rajon i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, kontrollohet nga armenët etnikë që në fillim të viteve 1990. Rreth 6 mijë njerëz u vranë në luftimet e vitit 2020. Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno-Karabakut dhe të shtatë zonat përreth tij u vendosën nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.