Celebrities Music

“Mbani zemrën me dorë” goca! Ylli kolumbian Maluma publikon datën e koncertit në Tiranë!

Për shkak të COVID-19 në vendin tonë u anuluan disa evente kulturore, mes tyre edhe koncerti i këngëtarit Maluma, i cili ishte vendosur të mbahej me 14 mars të vitit të kaluar. Për Tiranën u caktua data 6 shtator 2020, mirëpo edhe kjo datë u shty. Por siç thotë shprehja: “Pas çdo të keqe vjen gjithmonë një e mirë”. Këngëtari i famshëm latin pritet të vijë në Tiranë në 14 mars 2022.

Lajmin e ka publikuar vetë Maluma përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë datat e koncerteve të tij nga shkurti në prill dhe mes tyre edhe data e koncertit që do të mbahet në Tiranë për Ditën e Verës, ashtu siç ishte menduar fillimisht, por dy vite më vonë.

Muaj më parë, organizatorët e eventit, Bashkia Tiranë dhe kompania RedCloud njoftuan se nuk do të ketë rimbursim të biletave të blera, por ato do të jenë të vlefshme për datën e re të koncertit. Ata bënë me dije se biletat e reja që do të dalin në shitje do të kushtojnë më shumë. Kujtojmë që çmimi i biletave varionte nga 3000-4500 lekë të reja (25-38 euro), në varësi të zonave. Ndërsa bileta “Meet & Greet”, që u jep mundësinë fansave të takojnë nga afër Maluma-n, të bëjnë një foto dhe të kenë një souvenir zyrtar tijin, kushton 370 dollarë (335 euro).

Ndërkaq, nëse keni qenë ndonjëherë kuriozë të dini se si Maluma përgatitet për një shfaqje të tijën, ai i ka zbuluar të gjitha detajet për ‘E! News’. Nga ritualet e tij deri tek lidhja me fansat, artisti zbuloi sesi ai i realizon koncertet e tij. Duke marrë parasysh që superylli latin është tashmë pro kur bëhet fjalë për interpretimin, ai thotë për E! News se rrallë ka “shumë nerva” para se të ngjitet në skenë. Arma e tij sekrete? Maluma zbulon se gjithçka ka të bëjë me të menduarit pozitivisht.