Aktualitet

Mbërrin në Durrës anija e SHBA-së, nis sot stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor!

Stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor ka nisur sot me mbërritjen e anijes “Bob Hope”. Ambasadorja amerikane Yuri Kim, në kuadër të stërvitjes ushtarake “Defender 21” ka bërë të ditur më parë mbërritjen e 800 trupave amerikane.

Stërvitja “Defender21″ do të zhvillohet nga 1 maj- 14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi. Në të do të marrin pjesë mbi 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, që do të vënë në dispozicion të stërvitjes edhe mjete ushtarake. Ambasadorja e SHBA-së shkruan:

Stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, fillon zyrtarisht sot. Me kënaqësi shoh anijen e marinës së Shteteve të Bashkuara Bob Hope të mbërrijë në Durrës. Bob Hope është një anije furnizimi që mban më shumë se 800 pjesë pajisjesh për t’u përdorur në stërvitje. 2 anije të tjera do të bashkohen

Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021 në Shqipëri, nën drejtimin e ushtrisë amerikane, ku do të demonstrojë aftësitë edhe ushtria shqiptare. Në stërvitje do të marrin pjesë edhe 3 100 trupa të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot, 1000 automjete jo luftarake, tanke, blinda etj. Shumica e trupave do të jenë amerikanë.

Kjo stërvitje është e ndarë në tre faza të koduara ‘Astral Knight’ prej datës 13 maj deri më 21 maj. Faza e dytë e koduar ‘Saber Guardian’ prej datave 16 maj deri më 10 qershor si dhe ‘Immediate Response’ prej datës 17 maj deri më 2 qershor 2021.

Trupat amerikane kanë nisur të zbarkojnë në Shqipëri që në fillim të muajit prill 2021, për përgatitjen infrastrukturës logjistike për ngritjen e kampeve fushore në të gjitha vendet e dislokimit dhe terrenet stërvitore të ofruara nga ushtria shqiptare.