Bota

Mbi 20 palestinezë humbin jetën pas sulmeve të ushtrisë izraelite!

Të paktën 22 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet e ushtrisë izraelite ndaj Rripit të Gazës. Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, të paktën pesë palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë humbën jetën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite ndaj shtëpisë së familjes al-Terturi në rrugën “Abu Husayra”, në perëndim të qytetit të Gazës.

Si pasojë e bombardimit të avionëve luftarakë izraelitë ndaj shtëpisë që i përkiste familjes Hejazi në lagjen Sabra, në jug të qytetit të Gazës, dy gra palestineze humbën jetën ndërsa të tjerë u plagosën dhe disa kanë mbetur nën rrënoja.

Gjithashtu, thuhet se të paktën katër palestinezë u vranë e shumë të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit nga avionët luftarakë izraelitë të shtëpisë që i përket familjes Hatib në lagjen Al-Jenina, në lindje të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Ndërkohë gjashtë palestinezë humbën jetën si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite ndaj një shtëpie të familjes Hajavat në kampin e refugjatëve Al-Shabura në qendër të Rafah në të cilën qëndronin palestinezë të zhvendosur.

Më tej, njoftohet se pesë palestinezë humbën jetën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Abu Taha në Rafah.

Në Rripin e Gazës me një popullsi prej rreth 2,3 milion banorësh, po përjetohet një katastrofë e madhe humanitare për shkak të pengesës për hyrjen e ndihmave humanitare dhe si pasojë e vazhdimit të sulmeve nga ushtria izraelite duke shënjestruar vendbanimet civile, spitalet, shkollat ​​dhe vendstrehimet e palestinezëve të zhvendosur që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, 34 mijë e 454 palestinezë, përfshirë të paktën 14 mijë e 685 fëmijë dhe 9 mijë e 670 gra u vranë e 77 mijë e 575 u plagosën.

Ndërkaq, po njoftohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur. Infrastruktura civile po shkatërrohet pasi po vendosen në objektiv spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parë “përparim të matshëm” në situatën humanitare në Gaza gjatë javëve të fundit”. Kështu tha sot sekretari i Shtetit, Antony Blinken, por i kërkoi Izraelit të bëjë më shumë. Duke folur në Riad të Arabisë Saudite, Blinken u shpreh se mënyra më efektive për të lehtësuar krizën humanitare në Gazë është arritja e një armëpushimi. Gjithashtu, tha se Uashingtoni vazhdon përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e luftës atje.

Blinken shkoi sot në Arabinë Saudite, në ndalesën e parë të një udhëtimi më të gjerë në Lindjen e Mesme për të diskutuar disa çështje, përfshirë qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta me Izraelin.

Kryediplomati amerikan do të shkojë në Izrael në fund të kësaj jave, ku ai pritet të bëjë presion ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ndërmarrë hapa konkretë që kërkoi presidenti Joe Biden për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza.