Aktualitet

Mbledhja e qeverisë, projektvendime për energjinë elektrike!

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan disa projektvendime për energjinë elektrike, përfshirë atë për trajtimin e disbalancave të shkaktuara nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike. I tillë është çdo prodhues që prodhon energji elektrike nga burime të energjisë së rinovueshme e në rastin e energjisë hidrike, me një kapacitet të instaluar deri në 15 MW për një njësi gjeneruese dhe që përfiton nga skemat mbështetëse të Ekzekutivit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se tashmë, disbalancat e shkaktuara nga këta prodhues dhe kostot përkatëse të mbulimit e tyre, nuk do të paguhen më nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Deri sot, disbalancat e shkaktuara nga prodhuesit e HEC-eve të vogla apo parqeve fotovoltaike i mbulonin operatorët shtetërore, konkretisht KESH-i, por duke nisur nga sot, këto entitete që prodhojnë energji dhe janë përcaktuar si prodhues me përparësi të energjisë elektrike do të duhet t’i paguajnë këto disbalanca.

Gjithashtu, ministrja Balluku bëri të ditur se kjo është një kosto simbolike, por kalimi i përgjegjësisë te entitetet private, shëndosh sistemin elektroenergjetik dhe financat e kompanive shtetërore që operojnë në këtë sistem.

Po ashtu, Balluku njoftoi:

Kemi miratuar sot dy parqe fotovoltaike në qarkun e Korçës, secili nga 20 MWH, pa mbështetje financiare nga shteti shqiptar, pra investim privat. Ky është lajm shumë i mirë, është investim nga entitete vendase, por që përkon me një periudhë shumë të vështirë sa i përket energjisë elektrike, kur ne si vend kërkojmë të rrisim kapacitetet prodhuese, sidomos të energjisë së gjelbër. Iniciativa të tilla mbështeten, për t’i dhënë shpejtësi më të madhe për ndërtim.

Shteti shqiptar përfiton nga këto parqe, pasi 2% e energjisë së prodhuar gjatë vitit i jepet shtetit shqiptar në formë produkti ose pagese në formë të rentës.

Një tjetër është projektvendimi për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, për zhvillimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror.