Aktualitet

Mbyllen aplikimet për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi!

Mbyllen aplikimet për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi. Sipas të dhënave të përditësuara të AZHBR-së, në total janë 68 mijë e 500 aplikime përmes portalit e-Albania, për masat direkte në bujqësi, si mbështetje në blegtori, bletari, ferma organike, certifikimin Global GAP, naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi, si edhe fara, fidanë dhe inpute të tjera.

Qarku me numrin më të lartë të aplikimeve është Fieri, pasuar nga i Korçës. Brenda 15 ditësh, aplikimet e kualifikuara do të publikohen në faqen zyrtare të AZHBR-së, www.azhbr.gov.al.

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë dhe naftën falas nisën më 20 mars. Udhëzimi i përbashkët i ministrive të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përcaktonte se “mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave, nga 5 mbështetëse që u zbatuan vitin e kaluar, duke përfshirë naftën falas që hyri në vitin e tretë të zbatimit”.

Për herë të parë këtë vit u aplikua edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10 mijë lekëve për krerë dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje. Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100 mijë, në vitin e dytë dhe tretë 150 mijë lekë dhe 200 mijë për fermë të certifikuar.

Në total, fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë. Më 2022-shin mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4.9 miliardë lekëve. Fillimisht fondi i miratuar ishte 3.7 miliardë lekë, duke iu shtuar 1.2 miliardë në mesin e vitit për zbatimin e masës së re për dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha të atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.

Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022, të cilat zëvendësuan heqjen e skemës së kompensimit 6% të TVSH-së te Agroindustria, vendosjen e 10% të TVSH-së te inputet bujqësore nga zero që ishin më parë.