Bota

Mbyllet operacioni, trupat izraelite tërhiqen nga spitali më i madh i Gazës!

Tashmë është zyrtare, ushtria izraelite u tërhoq nga spitali al-Shifa në qytetin e Gazës gjatë natës dhe këtë e bëri rreth dy javë nga fillimi i një operacionit ushtarak atje, referuar raportimeve palestineze të bëra sot në mëngjes.

Mediat lokale bënë të ditur se operacioni ka shkaktuar shkatërrime të rënda në ndërtesat e kompleksit më të madh mjekësor në Rripin e Gazës. Lidhur me këto pretendime, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ato janë duke u hetuar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu reagoi dhe në një deklaratë, operacionin në spitalin al-Shifa, dje në mbrëmje e përshkroi si një sukses të madh. Shefi i qeverisë së Izraelit foli për një operacion ushtarak “të saktë e kirurgjik”.

Më shumë se 200 terroristë janë vrarë dhe qindra prej tyre janë dorëzuar, tha Benjamin Netanyahu.

Sipas Izraelit, organizata islamike radikale palestineze Hamas, e shpallur “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian, edhe një herë ka ngritur pozicione luftimi e komandimi në një zonë të gjerë, pasi ushtria izraelite e kishte sulmuar më parë spitalin në muajin nëntor të vitit të kaluar. Izraeli e akuzon Hamasin për keqpërdorim sistematik të objekteve shëndetësore për qëllime ushtarake. Hamasi e ka mohur këtë pretendim dhe thotë se Izraeli “gënjen”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha një javë më parë se “luftëtarët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik ishin vendosur në departamente të ndryshme të spitalit”.

Hamasi po qëllon mbi trupat izraelite nga dhoma e urgjencës dhe nga mjediset e maternitetit, tha ai, duke shtuar se ata kishin gjuajtur predha mortajash e kishin shkaktuar dëme serioze, si dhe zjarre në kompleksin spitalor.

Ndërkaq, krahu ushtarak i Hamasit ka marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj trupave izraelite në zonën e spitalit al-Shifa ditët e fundit. Në Lindjen e Mesme vijon e ashpër lufta Izrael-Hamas, me luftime që nuk ndalen prej 7 tetorit të vitit të kaluar. Hamasi sulmoi i pari dhe pasi vrau 1 mijë e 200 vetë në Izrael, mori pengje rreth 250 të tjerë. Një pjesë e tyre ende nuk janë liruar. Amerika po tenton të shtyjë përpara një armëpushim e për këtë ka bisedime, por ende nuk po arrihet sukses.