Politikë

Mbytja e babë e bir nga rrjedha e lumit në Shkodër, Berisha: Qeveria për të mbushur xhepat krijoi këtë dramë

Ish kryeministri Berisha ka zhvilluar një konferencë në Shkodër ku ka thënë se fajtor për përmbytjen është vetëm Edi Rama dhe dora e tij e vjedhjes së bashku me ministren Balluku.

“Erdha sot pasi kam ndjekur gjatë natës me shqetësim të thellë zhvillimet e paralajmëruara në qarkun e Shkodrës. Erdha për të shprehur solidaritetin tim me banorët e qarkut. Është gjithçka jo dora e zotit por dora e robit hajdut. Gjatë këtyre ditëve, Rama dhe ministrja e tij Balluku, nuk kanë prodhuar energji, por kanë blerë energji me 226 lekë megavatin në bursë. Në një kohë kur, energjia e kontraktuar 10 mln euro mund të prodhojë pa asnjë lloj kufizimi pasojë në kaskadën e Drinit. Sot Rama fajin e gjen te mediat dhe opozita për vjedhjen dhe katastrofën që bëri vetë.”- tha Berisha

Ish kryeministri Sali Berisha u shpreh se qeveria për të mbushur xhepat e tyre shkaktoi vdekjen e Pjetër Rrushajt dhe djalit të tij. Berisha u shpreh se përmbytja mund të ndalohej.

“Në këtë situatë kritike kanë humbur jetën një qytetar i nderuar dhe demokrat i vendosur Pjetër Rrushaj dhe djali i tij 14-vjeçar. I shpreh familjes Rrushaj ngushëllimet e mia më të ndjera, por dënoj me ashpërsi këtë veprimtari të mirëfilltë kriminale të qeverisë e cila për të mbushur xhepat krijoi këtë dramë krejtësisht të parandalueshme në Shkodër.” u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.