Bota

Më 8 nëntor, Amerika hap kufijtë për turistët e vaksinuar kundër COVID-it!

Pas një viti e gjysmë, Shtetet e Bashkuara rihapin kufijtë për turistët. Udhëtarët e huaj, përfshirë ata europianë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit, mund të hyjnë në Amerikë, nga data 8 nëntor. Lajmin e konfirmoi një funksionar i Shtëpisë së Bardhë.

“Të vaksinuar plotësisht”, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, konsideron ata që kanë bërë vaksinat e autorizuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Mjafton të jesh i vaksinuar dhe administrata e presidentit Joe Biden lejon gjithashtu, udhëtimet jothelbësore. Në këtë mënyrë, i jep fund një bllokimi që për shkak të pandemisë COVID, zgjat prej më shumë se 18 muajsh. Nga ditët e para të saj, udhëtimet me tren e traget mes Amerikës, Kanadasë e Meksikës, në pjesën më të madhe janë kufizuar në thelbësorë, siç cilësohen ato tregtare.

Udhëtarët duhet të dëshmojnë së janë plotësisht të vaksinuar, të kenë një rezultat negativ të testit për COVID jo më të vjetër se 72-orësh, të mbajnë maska gjithë kohën, si dhe të japin adresën email-i e numrin e telefonit, për t’u gjurmuar.