Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Me këto ushqime jeni duke humbur masën dhe densitetin kockor!

Me kalimin e moshës, ne humbim masën dhe densitetin kockor. Te gratë kjo humbje përshpejtohet pas menopauzës, ndërsa te meshkujt më gradualisht. Një mënyrë për të ndërtuar eshtra të forta është nëpërmjet dietës. Është e rëndësishme të përqendrohemi në dy gjëra; kalciumin dhe vitaminën D. Ortopedët pohojnë se mbrojtja dhe mbajtja e kockave të forta ka të bëjë më pak me pirjen e qumështit dhe më shumë me shmangien e ushqimeve dhe pijeve që mund të ndikojnë në densitetin e kockave.

“Edhe pse kalciumi dhe vitamina D janë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të kockave, tejkalimi i dozave të rekomanduara ditore mund të ketë një efekt negativ dhe të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi. Nevojat për kalcium dhe vitaminë D varen nga mosha, prandaj kontrolloni se cila është doza optimale për ju”,-është shprehur Dr.Liz Mckenna për BuzzFeed.

Ajo këshilloi se për njerëzit mbi 50-vjeç, rekomandimet janë 1000 miligramë kalcium në ditë dhe 800 deri në 1000 njësi të vitaminës D në ditë. Konsumimi i shtuar i alkoolit mund të zvogëlojë aftësinë e trupit për të absorbuar lëndët ushqyese. Gratë e shëndetshme, të moshave ndërmjet 19 deri në 30-vjeçe, të cilat konsumonin sasi të larta alkooli, kishin rezultate më të ulëta të densitetit të kockave sesa ato që nuk kishin konsumuar.

Kafeina nga ana tjetër rrit humbjen e kalciumit, i cili ndikon negativisht në shëndetin e kockave. Një studim i publikuar në “BMC Musculoskeletal Disorders” zbuloi se konsumimi i kafeinës kontribuoi në densitetin e ulët të kockave te gratë pas menopauzës. Konsumimi i tepërt i kripës gjithashtu mund të çojë në humbjen e kalciumit nga kockat. Sipas një studimi të publikuar në “Journal of the American College of Nutrition”, rritja e konsumimit të natriumit rrit ndjeshëm rrezikun e osteoporozës.

E fundit po jo më pak e rëndësishmja, nëse pini shumë pije të gazuara, kjo mund të ndikojë negativisht në shëndetin e kockave. Konsumimi i më shumë se shtatë pijeve të tilla në javë, shoqërohet me një reduktim të densitetit të kockave dhe një rritje të rrezikut për frakturë. Një studim i fundit që shqyrtoi 73.000 gra në postmenopauzë që pinin pije të gazuara, zbuloi se ato kishin një rrezik të shtuar për frakturë të ijëve. Studimi i botuar në “The American Journal of Clinical Nutrition” vuri në dukje se rreziku ishte gjithnjë më i madh në raport me rritjen e sasisë së konsumimit.