Aktualitet Politikë

Me urdhër të SPAK arrestohet kryebashkiaku socialist në detyrë i Himarës, Jorgo Goro dhe 4 persona të tjerë!

Sipas burimeve zyrtare, kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, është arrestuar.

Së bashku me të, janë arrestur edhe 4 persona të tjerë.

Prangosja e Goros vjen për llogari të një hetimi të nisur pas një kallëzimi të Alfred Belerit ndaj Goros për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Burime nga SPAK bëjnë me dije se janë 5 masa sigurie, dy “arrest në burg”, mes të cilëve edhe Goro, dhe tre “arrest në shtëpi”. Prangosja e kryebashkiakut në detyrë të Himarës është kryer në zonën e Dhërmiut.

Jorgo Goro, kryebashkiaku në detyrë i Himarës, prej 3 mandatesh drejtonte bashkinë dhe prej 10 muajsh mbante këtë post edhe pse humbi në zgjedhjet lokale të 14 majit përballë Fredi Belerit.

Goro vijoi të mbante postin pasi rivali i tij Fredi Beleri u arrestua me urdhër të SPAK, 2 ditë para zgjedhjeve vendore, nën akuzën e blerjes së votave përkundrejt shumës prej 40 mijë lekësh, vepër penale për të cilën, GJKKO e dënoi me 2 vite burg.

Prej vitit 2011, Jorgo Goro nën siglën e PS-së ka arritur të zgjidhet kryebashkiak i Himarës për 3 mandate rresht, derisa humbi në 2023-in në zgjedhjet e 14 majit.

Në dosjen e dorëzuar në SPAK nga avokatët e Belerit në shtator të vitit të kaluar, Jorgo Goro akuzohet se ka ndërhyrë për të tjetërsuar prona në favor të të tretëve në mënyrë që të përfitojnë më pas statusin e investitorit strategjik.

Hetimi ndaj Goros, kulmoi gjatë vjeshtës, atëherë kur përveç tij u thirr për t’u pyetur edhe investitori strategjik, Artan Gaci, bashkëshort i ish-ministres Olta Xhaçka. Megjithatë hetimi i SPAK ngriti pikëpyetje mbi veprimatarinë e Goros dhe të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në falsifikim dokumentash në shkelje të ligjit.

Krahas kësaj padie SPAK i është referuar dhe raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka evidentuar disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës ku Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës. Gjetja më e rëndësishme e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka të bëjë me ndërtimin e një resorti në këtë zonë dhe me proceduat se si janë dhënë lejet e ndërtimit në zonën bregdetare të Himarës.

Pak kohë më parë Goro u paraqit në SPAK ku dha sqarime për këto dy çështje