Aktualitet

Menaxhimi i sistemit energjetik, Konfindustria kërkon Komision Hetimor!

Konfindustria i bën thirrje Kuvendit që të krijojë një komision hetimor për vlerësimin e sistemit energjetik.

Konfindustria, në kushtet e krizës energjitike të shpallur dhe shkaqet e krijmit të saj, i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të krijojë komision hetimor për vlerësimin e menaxhimit të sistemit energjitik në vitet 2021-2022. Njëkohësisht, si pjesë e procesit të sipërpërmendur ERE/Enti Rregullator i Energjisë të thërritet në seancë dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë shpjegimet për vendimet e fundit për fashën e energjisë, 5- fishimin rritjes së çmimi dhe vlerësimin e pavarësisë institucionale të tij.

Konfindustria vlerëson, se ngritja e komisionit hetimor nga Kuvendi i Shqipërisë për menaxhimin e sistemit energjitik, është tepër e vonuar dhe duhet të ishte kryer menjëherë pas shpalljes së krizës energjitike në vitin 2021. Vlerësojmë, se në vitin 2021 Shqipëria prodhoi 6.5% më shumë energji elektrike se nevojat për konsum të brendshëm dhe pa shpjegime kaloi në krizë.

Ka të dhëna të shumta të besueshme, që shkaqet e kalimit në krizë energjitike në vitet 2021-22 lidhen me keqmenaxhimin skajor të sistemit. Shpjegimet lidhur me kalimin në krizë energjitike në kushtet e mësipërme duhet të hetohen dhe të bëhen të njohura për publikun nga komisioni hetimor i Kuvendit të Shqipërisë.

Konfindustria vlerëson se Shqipëria, që prodhon energji elektrike nga burimet ujore, është relativisht e pavarur nga tregjet ndërkombëtare të lidhura me gazin rus dhe konfliktin në Ukrainë. Në kushte të një menaxhimi normal të sistemit energjitik dhe strategjive profesionale Shqipëria jo vetëm nuk duhet të kishte kaluar në krizë energjitike, por duhet të kishte përfituar epersi të rëndësishme ekonomike dhe tregtare në kushtet e sotme të zhvillime ndërkombëtare energjitike.

Konfindustria vlerëson, se edhe në kushtet e çmimeve të sotme të parritura, bizneset dhe konsumatorët tariforë në Shqipëri kanë çmimet më të larta të energjisë elektrike dhe karburante në rajon. Rritja e mëtejshme e çmimeve të energjisë elektrike do të ishte shkatërruese për bizneset, mirëqënien e qytetarëve dhe zhvillimin e ekonomisë kombëtare.