Aktualitet

Mësuesi u pezullua për goditje, nxënësit e shkollës “Kosova” në Lezhë, bojkot mësimit/Kërkojnë të rikthehet!

Nxënës të klasës së nëntë në shkollën “Kosova” të Lezhës, sot në mëngjes bojkotuan procesin mësimor, në shenjë proteste për pezullimin e profesorit të Matematikës e të Fizikës, pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

Nxënësit u shprehën se e konsiderojnë “të padrejtë”, largimin e arsimtarit e sipas tyre, mësues Ramiz Bajrami ka rënë pre e një kurthi, duke u provokuar nga vetë nxënësi dhe për më tepër shtojnë se ky i fundit nuk ka marrë asnjë dëmtim nga akti i pretenduar i dhunës.

Ata deklaruan se janë të vendosur të mos vijojnë mësimin deri në rikthimin e mësuesit. Një nxënëse tha:

Sot, ne kemi dalë në protestë sepse profesori ynë i Matematikës dhe i Fizikës, Ramiz Bajrami është pushuar nga puna dhe neve na duket vendim i padrejtë. Kemi bojkotuar mësimin dhe i kemi dërguar njoftimin drejtorisë. Profesorit i është shfaqur një video dhe në atë video nuk ka shfaqur shenja dhune e nëse nxënësi pretendon që ka shenja dhune, le të paraqesë një raport mjekësor që ka shenja dhune fizike apo psikologjike!

Nuk u mor fare parasysh fjala jonë dhe të gjithë po veprojnë më mendjen e tyre. Nëse profesor Ramizi nuk vjen në punë, atëherë të gjithë mësuesit duhet të hiqen nga puna se të gjithë kanë rënë pre e provokimeve të nxënësve dhe kanë dalë nga vetja. Nëse profesori hiqet nga puna, atëherë të gjithë mësuesit të hiqen nga puna e ta bëjmë të qartë që pa ardhur profesor Ramizi, ne nuk futemi brenda!

Profesor Ramizi ka shumë vite punë në këtë shkollë dhe nuk ka askush të drejtë ta heqë nga puna për një video pasi nuk ka marrë asnjë lëndim ai nxënësi. Mësuesit nuk kanë asnjë lidhje me protestën tonë. Ne e kemi vendosur mes nxënësve, tha një tjetër nxënëse duke hedhur poshtë aludimet se janë organizuar nga arsimtarët.