Politikë

Metës i mbaron mandati, PS-PD nisin negociatat për presidentin e ri konsensual të vendit

Dy forcat më të mëdha politike në vend, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë nisur negociatat për emrin e Presidentit të ri të vendit. Ilir Metës i mbaron mandati më 24 korrik por procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit duhet të nisin brenda datës 24 maj.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka pasur bisedime informale sot në Kryesinë e Kuvendit me grupin negociator të PS-së, Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nis procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës. Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual.

PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ndërsa Balla tha se ky proces ndodh brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe dëshira e socialistëve është për konsultim e dialog nga të gjitha palët. Këto deklarata Balla i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar.

Raundet dhe procedura si zgjidhet Presidenti i ri, kërkohen 84 vota por mjaftojnë edhe 71

Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret procedura duhet të nisë para datës 24 maj.

Pas përcaktimit të datës së raundit të parë në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat.

Pra opozita nuk e bllokon procesin as me mospjesëmarrjen e saj në seancë, që do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota.

Në mënyrë më të hollësishme, neni 87 i Kushtetutës dhe neni 109 i Rregullores së Kuvendit, parashikojnë rregullat mbi procedurën e zhvillimit të raundeve të votimit si edhe shumicën e kërkuar në secilin prej raundeve. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit.

Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës në muajin maj do të jetë votuar nga Kuvendi.

Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate. Votimi quhet i kryer edhe kur në Kuvend nuk paraqitet asnjë kandidaturë. Tashmë priten emrat e kandidatëve për Presidentin e ri të vendit.