Lajmet e fundit

Ministrja Balluku e sheh me optimizëm rënien e konsumit të energjisë!

Të dhënat e INSTAT të një dite më parë treguan se konsumi i energjisë ka pësuar rënie me 7% në total në krahasim me të njëjtën periudhë nga viti i kaluar, ku më i theksuar ishte tek bizneset.

Pas publikimit të këtij raporti ka reaguar sot me një status në rrjetet sociale Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ku sqaron se rënia e konsumit të energjisë ka të bëjë me 2 fakte optimiste:

“Për ata që gjëmojnë lajmet e errëta edhe ku ka dritë plotë dhe aty ku ka arsye për të vlerësuar arritjet, pasi janë sakrifica të përbashkëta, të qytetarëve dhe të Qeverisë, dua të sqaroj opinionin publik që disinformohet rregullisht. Rënia e konsumit të energjisë elektrike, ka qenë dhe do të jetë synim dhe qëllim i punës tonë, ndaj dhe kemi nisur prej kohësh të implementojmë strategjinë e diversifikimit të burimeve energjetike. Gjithashtu politikat tona të efiçencës energjetike, kanë dhënë rezultatet e para.

Rënia e konsumit ka të bëjë me 2 fakte optimiste për vendin tonë me të cilat duhet të krenohemi:

1. Mbi 120MWH të instaluara për vetë konsum nga biznese dhe abonentë familjarë. Mjafton të kujtojmë mbështetjen që Qeveria Shqiptare i jep secilit prej këtyre dy grupeve, nga panelet për ngrohjen e ujit dhe deri tek 500 kë e shkëmbimit.

Arsyeja e dytë është pa diskutim meritë e punës së palodhur të punonjësve të #OSHEE

2.Ulje e humbjeve teknike dhe jo teknike në rrjetin e shpërndarjes.

Arritjet e targeteve duhen vlerësuar, sektorit duhet ti njihet progresi i jashtëzakonshëm dhe ne fjalët nuk na trembin pasi për ne flasin rezultatet.”, shkruan Balluku në llogarinë e saj në Facebook.