Sport

Miqësoret me Italinë dhe Armeninë, Reja rikthen skuadrën e tij më të mirë!

Edi Reja publikoi listën e 27 lojtarëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në miqësoret ndaj Italisë (16 nëntor) dhe Armenisë (19 nëntor),  në “Air Albania”. Trajneri italian ka ftuar tre futbollistë nga Superiorja: Eneo Bitrin e Andi Hadrojn nga Partizani, si dhe Erdenis Gurishtën, kapitenin e Vllaznisë. Në Kombëtare rikthehen Berat Gjimshiti, Keidi Bare, Marash Kumbulla e Qazim Laçi, të cilët për shkaqe dëmtimesh, munguan në përballjet e fundit zyrtare.

Reja zgjodhi katër sulmues, repart ku krahas Brojës e Uzunit, do të jenë edhe Kristal Abazaj (176 minuta aktivizim me Istanbulsporin në Superligën turke) e Ernest Muçi, autor i tre golave dhe katër asisteve me Legian e Varshavës.

Pas dy ndeshjeve miqësore jashtë datave të FIFA-s me Arabinë Saudite e Katarin, ku u testuan kryesisht lojtarë të kategorisë Superiore, për këto dy përballje tekniku 77-vjeçar do të ketë në dispozicion lojtarët kryesorë të Kombëtares që ka përzgjedhur e është përfaqësuar në këto tre vite e gjysmë të tij në drejtimin e pankinës kuqezi. Por, në listën e të grumbulluarve  bie në sy mungesa e Sokol Cikalleshit.

Javën e ardhshme, Kombëtarja Shqiptare luan dy ndeshjet e fundit miqësore, atë me kampionët e Europës në fuqi të Italisë dhe Armeninë. Me gjasë do të jenë edhe dy ndeshjet e fundit të trajnerit Edoardo Reja në drejtimin e pankinës kuqezi.