Bota

Miratohet buxheti i 2024 për Bashkinë Tiranë,Veliaj: Eshtë 10 herë më i madh se ai që gjetëm!

Buxheti i vitit 2024 për Bashkinë e Tiranës u miratua sot në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak uroi gjithë shqiptarët për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, teksa renditi edhe disa nga pikat kryesore të buxhetit që u miratuan.

Projektvendimi trajtimin me subvencionin e qirasë të disa familjeve në nevojë, që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë, është një nga pikat e buxhetit për vitin 2024 për të vijuar më pas me miratimin e familjeve aplikuese që do të përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike.

Gjithashtu në mbledhje u votua pro edhe për bonusin e qirasë të individëve dhe familjeve, pasuritë e të cilëve preken nga zbatimi i projektit të segmentit rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës, Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Shkozë”. Një tjetër pikë e rëndësishme e buxhetit të vitit të ardhshëm është miratimi i listave të nxënësve të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike, që përfitojnë bursa dhe pagesa, për vitin shkollor 2023-2024.

Këshilli Bashkiak vendosi edhe për miratimin e nivelit të pagave të punonjësve në institucionet e varësisë, njësive administrative dhe policisë bashkiake, përdorimin e simbolit “B40 Balkan Cities Netëork” në kuadër të mbajtjes së presidencës së “Rrjetit B40 të qyteteve të Ballkanit” gjatë vitit 2024”, krijimin dhe organizimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kopshtit Zoologjik si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, ndryshimin e buxhetit afatmesëm të Bashkisë së Tiranës për vitin 2023, si edhe miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2024”.

Por gjatë mbledhjes u shënua dhe një incident. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka ndërprerë mbledhjen teksa Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po fliste për buxhetin për të cilin tha se është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar.

Blushi vuri një palë pranga mbi mikrofonin e kryebashkiakut Veliaj, ndërsa Kryetarja e Këshillit Bashkiak Romina Kuko kërkoi ndërhyrjen e policisë bashkiake për ta nxjerrë jashtë. Ndërsa e mori me sportivitet këtë veprim, Veliaj tha se në fakt prangat po i afrohen dikujt nga zyra e Partisë së Lirisë, duke përmendur emrim e Metës.

“Kam përshtypjen se prangat po i afrohen dikujt te ajo zyra (te zyra e PL-së) prandaj. I keni speciale për Ilirin, i keni me gëzof”, tha Veliaj.