Aktualitet

Moti i keq, dy aksidente rrugore me dy të lënduar në vend!

Moti i keq shkakton dy aksidente rrugore në vend. Në juglindje, dy persona u plagosën në aksin kombëtar Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Cangonj. Një mjet i shërbimit taksi doli nga rruga e përfundoi në kanal. Shkak i aksidentit dyshohet lagështira. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat.

Po në juglindje, aksi rrugor Përrenjas-Qafë Thanë është përfshirë nga reshje dëbore dhe nga policia nuk lejohen që automjetet të kalojnë pa goma dimërore dhe pa zinxhirë.

Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për pastrimin e rrugëve nga bora, nga rënia e materialeve në zonat me intensitet shiu dhe për shpërndarjen e kripës.

Ndërkaq, era e fortë dhe bora e shkrirë kanë vështirësuar lëvizjet në superstradën Lezhë-Milot. Problematik është edhe qarkullimi në aksin e vjetër Milot-Lezhë. Për shkak të shirave dhe erës së fortë, një kamion u përmbys në anë të urës.

Për shkak të reshjeve të dëborës, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka rritur prezencën e shërbimeve policore në Rrugën e Arbërit, për t’ju ardhur në ndihmë dhe këshilluar, drejtuesit e mjeteve.

Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, në Rrugën e Arbërit, nuk do të lejohen të kalojnë automjetet pa goma dimërore dhe pa zinxhirë. Njëkohësisht, policia njoftoi se borëpastrueset po punojnë për mirëmbajtjen e rrugës, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora.

Shërbimet e DVP Tiranë janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar çdo përdorues rruge dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë, në këtë zonë, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Policia e Shtetit, për shkak të vështirësimit të qarkullimit të mjeteve, nga reshjet e shiut dhe të borës, ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ofruar ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve.

Në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.

Forcat Kombëtare të Sigurisë, së bashku me grupet e evakuim -shpëtimit dhe Policinë Alpine që janë pjesë e kësaj force, janë në gatishmëri për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, në rast nevoje.

Inspektorët dhe specialistët e policimit në komunitet janë shpërndarë në zonat që mbulojnë dhe janë në kontakt të pandërprerë më përfaqësuesit e pushtetit vendor, emergjencat civile dhe kryetarët e fshatrave, me qëllim monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në kohë, në rast nevoje.

Të gjithë punonjësit e Policisë Rrugore kanë dalë në terren, për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve që kanë kërkuar ndihmë duke telefonuar në 112.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe të borës në disa zona, në rrugët urbane dhe interurbane ka prezencë të shtuar të ujit dhe të borës, që krijon vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.

Firmat kontraktore për mirëmbajtjen dhe pastrim e rrugëve po punojnë intensivisht për të pastruar borën dhe inertet që bien si pasojë e reshjeve të shiut.

Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera në rrugë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë dhe për çdo rast nevoje për ndihmë, drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët të telefonojnë numrin pa pagesë 112.