Aktualitet

Moti i keq, problematikat e para në Dibër e Kukës!

Qarku i Dibrës është përfshirë sot nga stuhi të dendura dëbore. Reshje me intensitet ka në Bulqizë dhe Peshkopi. Temperaturat shënojnë 5 gradë, ndërsa raportohen probleme për lëvizjen e mjeteve në Bypassin e Rrugës së Arbrit, si dhe në segmentin Plan i Bardhë-Qafa e Buallit.

Prej orëve të natës, edhe territori i Kukësit vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore e trashësia e saj shkon nga 15 në 30 cm. Prefektura informon:

Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se:

Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe  Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë.

Furnizohet me energji elektrike pjesërisht qyteti i Kukësit dhe Njësia Administrative Zapod.

Furnizohet normalisht qyteti Krumës dhe i Bajram Currit. E gjithë pjesa tjetër e qarkut nuk furnizohet për momentin me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme  atmosferike si rezultat i kalimit të një fronti të ftohtë, shoqëruar me masa ajrore të ftohta dhe të lagështa.

Moti parashikohet me vranësira të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave. Në periudha afatshkurtra, reshjet përgjatë Ultësirës Perëndimore do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër.

Në relievet malore në verilindje, në lartësitë mbi 300 metër dhe juglindje, në lartësitë mbi 500 metër ka reshje dëbore me intensitet të ulët e mesatar. Në periudha afatshkurtra, reshjet e dëborës janë me intensitet të lartë në formën e stuhive dhe shtrëngatave të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë dhe reduktim shikimi në orët e mëngjesit dhe në momentin e reshjeve të shiut e të dëborës.

Era fryn intensive, me drejtim verilindje – juglindje dhe shpejtësi mesatare 3-12 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era bëhet tepër intensive e problematike, si dhe me shpejtësi 16-24 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 3-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër
7/10
Re shi

Kukës
-1/5
Re borë

Lezhë
9/11
Re shi

Dibër
-2/4
Re borë

Durrës
8/16
Re shi

Tiranë
10/16
Re shi

Elbasan
7/15
Re shi

Berat
9/19
Re shi

Vlorë
8/17
Re shi

Korçë
0/6
Re borë

Gjirokastër
8/16
Re shi

Sarandë
10/17
Re shi