Aktualitet

Moti i keq, sot nuk ka nisje të trageteve të linjës Durrës-Bari-Durrës!

Moti i keq, anulojnë lundrimet dy tragete që sonte planifikohej të niseshin nga Porti i Durrësit për në Bari të Italisë. Sipas burimeve zyrtare, kjo vlen edhe për mjetet lundruese që duhej të niseshin nga Bari për në portin më të madh detar të vendit tonë. Ndërkohë, linja Durrës-Ankona-Durrës nuk preket e lëvizjet vazhdojnë normalisht.

Njoftimi i Kapitenerisë së Portit Durrës:

Referuar parashikimeve të Kapitenerisë së Portit të Durrësit mbi situatën e motit në orët në vijim, Kompanitë e lundrimeve bëjnë të ditur se dy tragetet që ishin parashikuar mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Barit, do të anulojnë lundrimet. Pra, si pasojë e kushteve të motit që pritet të përkeqësohen në orët e ardhshme, nuk do të ketë nisje të trageteve sot, dt.04.02.2023, nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas.  Linja Durrës-Ankona-Durrës do të vazhdojë normalisht.

Edhe për anijet e peshkimit e mjetet e vogla është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e gjendjes. Pritet që situata meteorologjike të ndryshojë ditën e hënë, 6 shkurt.

Situata në porte dhe rada për ditën e sotme, 4 shkurt 2023:

Në Portin Durrës, tragetet që operojnë në linjën Durrës-Bari-Durrës nuk do të nisen ditën e sotme nga të dyja portet respektive, ndërsa operimi i tragetit të linjës Durrës-Ankona-Durrës do të vijojë normalisht.

Në Portin e Vlorës, linja Vlorë-Brindisi-Vlorë do të funksionojë normalisht.

Në Portin e Sarandës, anijet pasagjere të linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë do të funksionojnë normalisht.

Në Portin e Shëngjinit, situata është e qetë dhe pa probleme.

Për sot, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike falë masave ajrore të ftohta e të lagështa me origjinë verilindore. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura ndërsa përgjatë Ultësirës Perëndimore priten alternime të herëpas’hershme kthjellimesh. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu.

Në relievet malore në lindje të vendit, ka reshje dëbore në lartësitë mbi 700 metër. Ato janë me intensitet të ulët deri mesatar. Në zonat luginore në orët e mëngjesit pati mjegull të dendur çka çoi në shikim të reduktuar. Temperaturat variojnë në vlerat ditore nga 0-12 gradë celcius.