Aktualitet

Naftëtarët e Ballshit në protestë për kërkesat ekonomike, përplasen me policinë!

Kërkojnë shlyerjen e plotë të pagave të prapambetura, naftëtarët e Ballshit tentojnë të hyjnë me forcë në ambientet e Uzinës, përplasen me forcat e policisë. Por, më pas u tërhoqën, pasi u njoftuan se do të priten nga një përfaqësues i rafinerisë, për të diskutuar lidhur me kërkesat që kanë.

Sipas kreut të Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, kërkojnë rifillimin e punës, si edhe likuidimin e pagave të prapambetura.

Ne kemi pritur zgjidhje ligjore, naftëtarët nuk kanë përse provokohen. Dy kanë qenë pikat tona: rifillimi i punës në rafineri, në të kundërt shteti të dalë e të thotë që kjo rafineri nuk ka të ardhme, si dhe kërkojmë zgjidhje ligjore, të na likuidohen lekët e prapambetura! Paratë i kemi fituar dhe janë me vendim të pa’apelueshëm me urdhër-sekuestro mbi rafinerinë e asetet e Armos. Të mos luhet me ne, kush e ka shitur e kush e ka blerë… Nëse Armo kalon inekzistente, ku do të merren ato lekë?! Naftëtarët kanë rreth 8 milion euro të papaguara. Të vijnë një orë e më parë e t’u shpjegojnë se ç’po ndodh me pagat e prapambetura!

Pa asnjë njoftim mbi shitjen apo blerjen e asetit nga palë të ndryshme, në mënyrë provokative ka filluar punimet një kompani private, në rafineri. Me vendim gjyqi dhe me urdhër përmbarimor, naftëtarët kërkojnë të mos veprohet atje, derisa të ketë një zgjidhje ligjore! Kërkojmë të merren masa e të mos provokohen incidente të ndryshme, nga persona që nuk kanë lidhje me këtë punë në rafineri!